Komisioneri për Zgjerim: Angazhim maksimal për përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi

Kandidati për komisioner për Zgjerim Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se do të punojë shumë që të përfundojë me sukses dialogu Kosovë-Serbi.

Lajme

14/11/2019 11:30

Oliver Varhelyi, kandidat për Komisioner për Zgjerim Evropian, ka thënë të enjten në fillimin e seancës dëgjimore para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, se Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e Evropës dhe se duhet të ketë një perspektivë të besueshme të pranimit në BE.

“Është në interesin tonë gjeopolitik. Ne duhet të përqendrohemi në ndikimin e reformave në terren duke i matur ato përmes prosperitetit, cilësisë së jetës dhe lirive civile”, Varhelyi, transmeton lajmi.net.

Siç shkruajnë mediet serbe, Varhelyi është zotuar se do të fillojë sa më shpejtë negociatat për pranimin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë dhe se do ta përfundojë me sukses dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë do të punoj me ministrin e Jashtëm të BE-së Josep Borell për ta sjellë dialogun Kosovë-Serbi në një përfundim të suksesshëm në vitin 2020”,  theksoi Varhelyi, i cili është kandidati i Hungarisë për Komisioner Evropian për Zgjerimin.

Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe përshpejtimit të përparimit të vendit në procesin e zgjerimit, bazuar në rezultatet individuale të vendeve kandidate.

Varhelyi po ashtu theksoi se, Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm që të pranojë vendet e rajonit.

“BE duhet të jetë e gatshme të pranojë rajonin, dhe reformat e brendshme mund të shkojnë paralelisht me zgjerimin e Bashkimit”, tha Varhelyi në fjalën e tij të hapjes për PE, transmeton më tutje lajmi.net.

Varhelyi  u tha eurodeputetëve se përkundër shqetësimeve të ngritura nga disa shtete anëtare gjatë samitit të tetorit të liderëve të BE, “askush nuk vuri në dyshim angazhimin e fortë të BE ndaj Ballkanit Perëndimor”.

“Perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor është e pandryshuar dhe unë do të luftojë për të dhe do të punojë në të deri në fund”, u shpreh Varhelyi.

Sipas kandidatit për komisioner për zgjerim evropian, Oliver Varhelyi, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të punojnë shumë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. /Lajmi.net/