KOMF kërkon rritje të investimeve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Me rastin e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve të mbajtur më 1 qershor 2015, si pjesë e objektivit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF përsëri ka dhënë disa rekomandime rreth mbrojtjes së fëmijëve.

Lajme

01/06/2015 16:46

KOMF, rekomandon që të hartohen politika për avancimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, për të përmirësuar pozitën e të gjithë fëmijëve, përmes hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, akteve nënligjore përkatëse; hartimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

KOMF, rekomandon po ashtu:

  • Deklarimin e buxhetit për vitin 2015 në fushat të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e fëmijëve, duke bërë të njohur investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, rritjen e buxhetit për skemat dhe transferet sociale për fëmijët në nevojë, krijimin e grantit specifik për shërbimet sociale në kuadër të komunave;
  • Krijimin e planeve konkrete për politikat e nevojshme dhe investimet për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore, përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë trajtim adekuat jashtë shtetit;
  • Rritjen e investimeve në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zbatimin efikas e të gjitha ligjeve dhe akteve tjera nënligjore, që rregullojnë gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla;
  • Fokus i veçantë duhet t’i kushtohet mbrojtjes më të madhe sociale për të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale, përfshirë fëmijët e braktisur dhe fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar dhe të lënë pas dore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj.

KOMF përmes një komunikate thotë se rekomandimet e lartcekura janë paraqitur në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, i cili përbën një nga mekanizmat më të rëndësishëm në orientimin e prioriteteve dhe politikave nacionale mbi të drejtat e fëmijëve në vend.

KOMF përbëhet nga: Associazione Amici dei Bambini, Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA , Iniciativa 6, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore MVPT, One to One Children’s Fund, One To One Kosova – Qendra e Këshillimit për Familje, Organizata Rinore Akti, Save the Children, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë, Terre des hommes, World Vision, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, OPFAKKOS, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Programi për të Drejtat Civile, VoRAE, Balkan Sunflowers Kosova dhe Kosovo Education for Sustainbale Development.