‘Komedi’ në Itali, Chievo nuk mbërrin në finalen e play-off falë një rregulli të çuditshëm

Në Itali ka rregulla shumë të veçanta dhe deri diku të palogjikshme sa i përket ekipeve që luftojnë mes njëra-tjetrës në përballjet e play-off në Serie B, me fituesin që shkon në Serie A.

Sport

12/08/2020 10:43

Chievo mbërriti në gjysmëfinale, ku eliminoi Empolin “padrejtësisht”. Në përballjen e vetme mes tyre, takimi u mbyll në shifrat 0-0. Më pas është vazhduar në 30 minutat e shtesës, ku ndeshja përfundoi 1-1. E nëse mendonit se fituesi do të dilte nga ruleta ruse, nuk ndodhi kështu.

Këtu u fut rregulli tjetër që merret për bazë renditja e fundit e kampionatit, atje ku Chievo e mbylli në vendin e 6 me 56 pikë, ndërsa Empoli në vendin e 7 me 54 pikë. Pra pas 120 minutash loje dhe me një histori tërësisht të re, dy pikët e sezonit të shkuar janë vendimtare.

Por çfarë ndodhi dje në mbrëmje? Një tjetër rregull i çuditshëm vjen nga Italia, por këtë herë është Chievo që e pëson dhe humbet në gjysmëfinale, duke hequr përfundimisht mundësinë që të ngjitej në Seria A.

Gjysmëfinalja ishte me dy takime, ku në të parën Chievo e mundi Spezian në shifrat 2-0. Ndërkohë në përballjen e djeshme ishte Spezia që fitoi në shifrat 3-1 ndaj tyre. Por ndryshe nga sa mund të mendohet është Spezia që arrin të kalojë në finale pasi në rastin se ndeshjet dalin barazim në diferencën e golave, merret menjëherë për bazë renditja e fundit e kampionatit, ku Spezia u rendit e treta. Pra, të nisësh një histori të re në “play-off” duke mbetur peng i së shkuarës. Ndodh në Itali! /Lajmi.net/