KOK reagon pasi karateistëve nuk iu lejua të garojnë me simbole në Qipro

Komiteti Olimpik i Kosovës reagon ndaj Qipros pasi karateistëve iu lejua të garojnë me simbole. Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) tash e dy ditë gjendet në Larnaka të Qipros, ku edhe po zhvillohet Kampionati Evropian për Kadet, Junior dhe grupmoshat U21. Por, përmes një komunikate zyrtare, FKK ka bërë të ditur se karateistët kosovarë…

Sport

03/02/2023 22:19

Komiteti Olimpik i Kosovës reagon ndaj Qipros pasi karateistëve iu lejua të garojnë me simbole.

Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) tash e dy ditë gjendet në Larnaka të Qipros, ku edhe po zhvillohet Kampionati Evropian për Kadet, Junior dhe grupmoshat U21.

Por, përmes një komunikate zyrtare, FKK ka bërë të ditur se karateistët kosovarë nuk u lejuan të garojnë me simbolet shtetërore nga institucionet shtetërore të Qipros.

“Sot pas shumë përpjekjesh NUK u lejuam të marrim pjesë si të barabartë me 48 shtetet evropiane pjesëmarrëse në këtë kampionat zyrtar të EKF(Federata Evropiane e Karatesë) meqenëse na u mohua e drejta për përfaqësim me simbolet shtetërore nga institucionet shtetërore të Qipros.

“Dëshpërimi nga nënçmimi ndjehet fuqishëm tek të gjithë anëtarët e ekipit kombëtar dhe më gjerë. Përgjatë kësaj periudhe kontakti i vazhdueshëm mes MKRS dhe FKK ka qenë intensiv dhe me qëndrim të përbashkët që të respektohet pjesëmarrja e barabartë në evente sportive”, shkruante në komunikatën e FKK-së.

Pas këtij gjesti të turpshëm reaguan edhe KOK-u.

“Është për keqardhje gjesti i sotëm i qeverisë së Qipros, e cila nuk lejoi karateistët tanë të garojnë të barabartë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U-21, që nisi sot në Larnaca.

Edhe më keq është kur ndaj këtij vendimi nuk mori masa Federata Evropiane e Karatesë (EKF), e cila u dorëzua përballë autoriteteve vendase.

Sidoqoftë, KOK përgëzon vendimin e Federatës së Karatesë së Kosovës dhe komplet ekspeditës, që vendosi të bojkotojë kampionatin, duke mos lejuar të diskriminohen dhe të garojnë pa simbolet shtetërore, ashtu siç kërkuan qipriotët.

KOK do të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtij vendimi diskriminues, i cili është kryekëput politikë dhe që nuk ka të bëjë me sportin”, thuhet në postimin e tyre./Lajmi.net/