Kohërat interesante

Partitë politike e morën një mësim në vitin 2013. Atë ua dha mrekullueshëm qytetari. Falas.

Opinion

31/12/2013 09:34

Ngjarje dinamike në politikën kosovare dëshmuam në vitin 2013, e bashkë me to erdhën edhe mesazhet.

Kosova vazhdoi procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë përmes takimeve maratonike në mes të Kryeministrave të të dyja vendeve në Bruksel. Si rrjedhojë e këtij procesi, më në fund, filloi shpërbërja e strukturave paralele dhe përfshirja e tyre në institucionet e Kosovës. Disa parti u munduan të reformohen përmes zgjedhjeve të tyre partiake. Skandalet korruptive edhe këtë vit vazhduan, ndërsa shumë ish-komandantë të UÇK’së u ballafaquan me drejtësinë e EULEX’it si të dyshuar për krime lufte.

Por, zgjedhjet komunale dominuan si ngjarja kryesore e vitit. Jo pse na mbesin në mend për shkak se ato u mbajtën në fund të vitit, por sepse sollën rezultate të papritura dhe ndryshime në shumë qytete.

Zgjedhjet 2013 trazuan rehatinë e partive në pushtet dhe ndryshuan perceptimin për bastionet rajonale. Përpos AKR’së, gati të gjitha partitë pësuan humbje, në një formë apo në një tjetër. Elektorati kosovar u dërgoi porosinë e qartë partive politike për nevojën e rimendimit të mënyrës së qeverisjes dhe të zhvillimit të fushatave politike.

Tani, partitë duhet t’u përshtatën rrethanave të reja, duke ridizajnuar strategjitë tyre politike, qasjen ndaj elektoratit, si dhe duke nxitur reforma ose edhe ristrukturime të brendshme partiake.

Partia më e madhe në vend, PDK, si asnjëherë më parë duket të jetë e çakorduar. Edhe pse humbja e votave në këto zgjedhje nuk ishte aq domethënëse, PDK’së i nevojitet rritja e elektoratit për ta ruajtur primatin e partisë së parë në vend në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rritja e elektoratit të LDK’së në zgjedhjet e fundit komunale e rrezikon pozitën e PDK’së, pasi që LDK ka potencial ta rikthejë një pjesë të votuesve që i kishte gjatë kohërave të arta të partisë, përderisa udhëhiqej nga Ibrahim Rugova.

PDK pritet të ballafaqohet me shumë sfida në vitin 2014. Ndër to është mundësia e largimit përfundimtar dhe krijimit të një partie të re politike nga ish partiakët, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi. Por, nëse Limaj e Krasniqi vendosin të kthehen në PDK, atëherë Hashim Thaçi do përballet me menaxhimin rivaliteteve në mes të rikthyerve dhe Zëvendëskryetarit të ri, Kadri Veseli.

Festa e LDK’së për fitoret nëpër shumë komuna u zbeh së tepërmi nga humbja e liderit të partisë, Isa Mustafa, në komunën më të madhe dhe më të rëndësishme të Kosovës. Prishtina, që deri me 1 dhjetor konsiderohej si bastioni kryesor i LDK’së, tani udhëhiqet nga një kryetar nga radhët e VV’së. Aq rëndë e përjetoi humbjen në Prishtinë, saqë Mustafa nuk arriti të kapitalizojë mbi fitoret e partisë në qendrat e mëdha si Peja, Gjilani e Ferizaj. Për më shumë, kjo humbje e vuri në pikëpyetje lidershipin e Isa Mustafës dhe rinxiti apetitin e pashuar të ish Kryetarit Fatmir Sejdiu që të kthehet në krye të partisë.

VV nuk ka çfarë të gëzohet shumë, përpos fitores në Prishtinë – e cila, prapëseprapë, shpesh më shumë i atribuohet Shpend Ahmetit sesa vetë partisë. Në asnjërën nga komunat tjera, kandidatët e VV’së për kryetarë komune nuk arritën as të shkojnë në balotazh, kurse performanca e partisë nëpër asamble ishte shumë më e dobët se në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërsa AAK’në e tronditi humbja e bastioneve në Dukagjin, përkundër ruajtjes së numrit të votave në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e kaluara. AAK bëri gabimin e njëjtë si PDK kur vendosi të garojë me kandidatët e vjetër në komunat ku kishte pushtetin. Në vazhdim, AAK’së i nevojitet hapja, prurja e kuadrove të reja dhe dhënia e hapësirës atyre për të marrë detyra dhe përgjegjësi brenda partisë.

Këto janë kohëra interesante për partitë politike në Kosovë.

Ato do të duhej t’i kenë marrë mësimet nga gabimet e bëra në zgjedhjet e fundit dhe në mënyrën e menaxhimit të partive në përgjithësi. Por, partitë e suksesshme në të ardhmen do jenë ato që arrijnë të tërheqin përkrahës të rinj, mobilizojnë strukturat, dhe të artikulojnë në mënyrë të qartë ideologjitë e tyre politike dhe programet qeverisëse.

Mësimin në vitin 2013 ua dha mrekullueshëm qytetari. Falas.