Kohë e vështirë për Januzajn

Adnan Januzaj nuk ka garanci për minutazhin e tij në Manchester United, këtë sezon. Mesfushori i talentuar përballet me konkurrencë të madhe dhe nuk i përshtatet formacionit të preferuar të menaxherit Louis van Gaal, shkruan “Goal.com”.

Sport

22/08/2014 12:02

Manchester United e kuptoi se forma e mirë në përgatitje nuk nënkupton domosdoshmërisht suksesin në Premierligë.

Por, derisa skuadra përgatitet për ndeshjen në Stadium of Light kundër Sunderlandit, ata do të përkujtohen se si Adnan Januzaj shkëlqeu në ballafaqimin e kaluar të skuadrave në këtë stadium, gati një vit më parë, shkruan “Goal.com”.

Në debutimin e tij në formacionin bazë të ekipit aso kohe të drejtuar nga David Moyes, mesfushori shënoi dy gola duke zgjuar vëmendjen e medieve britanike dhe më gjerë.

Thjesht, Januzaj ishte një prej futbollistëve të vetëm të Unitedit që meritoi notë pozitive për paraqitjet e tij në edicionin e kaluar. Por, gjërat janë më ndryshe tani me ardhjen e Louis van Gaal. Kjo, pavarësisht faktit se Januzajt i është dhënë fanella legjendare me numrin 11 që deri edicionin e shkuar i takonte legjendës Ryan Giggs.

Formacioni 3-5-2 i preferuar nga Van Gaal krijon dyshime se ku gjendet Januzaj në planet e holandezit. Kualitetet e Januzajt në lojën defanzive nuk janë aq të fuqishme në mënyrë që ai të mbulojë krahun e djathtë, ndërsa Luke Shaw është transferuar për 30 milionë funte për ta zënë atë të majtin.

Në konkurrencë me Antonio Valencian e Rafaelin në anën e djathtë, Januzaj nuk ka garanci se sa paraqitje do t’i numërojë këtë edicion.