Kohë e keqe për ekonominë

Safet Gërxhaliu thotë se Kosovës askush s’i dëshiron trazira sociale në situatën politike në të cilët gjendet shteti. Vlerëson se emëruesi i përbashkët për të dalë nga gjendja ekonomike e rëndë është sundimi i rendit dhe ligjit.

Lajme

15/01/2014 06:54

Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu ka pranuar se viti 2014 do të jetë me sfida në aspektin ekonomik.

Këtë ai e thotë për shkak se agjenda politike përpos që dominoi në vitin 2013 do ta vazhdojë avazin edhe me 2014, me zgjedhjet qendrore në vend, dialogun me Serbinë e procesin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim me Komisionin Europian.

Agjenda e tillë politike, sipas Gërxhaliut, është stërngarkim ekonomik dhe për këtë, ai mendon se është obligim të ndahen çështjet ekonomike nga ato politike.

“Është e vërtetë që viti 2014 do të jetë një vit mjaft sfidues në aspektin ekonomik, me vetë faktin që dashtë e pa dashtë agjenda politike është duke dominuar nga viti 2013 dhe po bëhet edhe në vitin 2014. I kemi zgjedhjet në nivel qendror në Kosovë, jemi në proces të negocimit dhe avancimit të dialogut me Serbinë. Kemi Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim me Komisionin Europian por edhe Serbia do të hyjë në zgjedhje. Komisioni Evropian do të ketë prapë zgjedhje për arsye se do të jetë vërtetë një vit i stërngarkuar me një agjendë të tillë”, thotë Safet Gërxhaliu në një intervistë për lajmi.net.

“Mirëpo është obligim që në këtë drejtim të ndahen çështjet ekonomike nga ato politike, ta kenë prioritet ekonominë, dhe mbi të gjitha në qoftë se mendohet për zhvillim ekonomik në Kosovë emëruesi i përbashkët i daljes nga një situatë e tillë është sundimi i rendit dhe ligjit. Dhe, po të arrijmë një nivel të tillë të përmirësimit atëherë vetë trendi i punësimit do ta marrë kahen e vet”.

Gërxhaliu thotë se duhet të mbështeten ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të përmirësohet ambienti për investorët dhe të ketë një pako fiskale në funksion të zhvillimit dhe rritjes ekonomike.

“Nuk duhet paraprakisht të prejudikohet rritja ekonomike sepse me rritje ekonomike ndërlidhen faktorë dhe indikatorë të ndryshëm ekonomikë, mirëpo është koha që bashkërisht t’i mbështesim trendet pozitive dhe më tepër në kuptimin e sektorit privat dhe më tepër kuptimin e sektorit prodhues. T’i mbështesim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të përmirësojmë ambientin investitorë për të tërhequr investitorë të huaj dhe, vërtetë, ta kemi një pako fiskale e cila do të jetë në funksion të zhvillimit dhe rritjes ekonomike.  Atëherë do të krijohet mundësia e krijimit të vendeve të reja të punës”.

Por, çfarë në rast të vazhdimit të gjendjes ekonomike të rëndë në vend, a ekziston mundësia që Kosova të rrëshqasë në trazira sociale?

“Nuk i dëshiron askush Kosovës trazira sociale në këto situate të rëndësishme politike ku po trasohet ardhmëria dhe qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës, pra ku duhet më tepër të merremi me probleme ekonomike dhe zgjidhjen e tyre se sa të merremi me analiza të aspektit social. Në qoftë se do të krijojmë mirëqenie, do të krijojmë një perspektivë ekonomike, atëherë mundësia për trazira sociale do të minimizohet. Është koha kur duhet të bëhet më tepër për ekonominë se ç’është duke u bërë”, thotë Safet Gërxhaliu për lajmi.net.