Koha për drejtësi në Klinë

Ferid Agani thotë se ka ardhur koha që të votohet për Partinë e Drejtësisë. Sipas tij, kjo parti do të jetë një digë e qëndrueshme dhe e pakapërcyeshme për të gjitha dukuritë negative në shoqëri, përfshirë korrupsionin institucionale dhe krimin e organizuar.

Lajme

13/10/2013 16:30

Partia e Drejtësisë ka hapur fushatën e saj elektorale në Komunën e Klinës, ku kryetari i këtij subjekti politik Ferid Agani, tha se me udhëheqjen aktuale është iluzion të pritet udhëheqje komunale pa korrupsion dhe pa dukuritë tjera negative.

Ai kërkoi nga banorët e Klinës që t’ia besojnë udhëheqjen kandidatëve të PD’së për Asamble Komunale, por edhe për Kryetar të Komunave, ku ata garojnë.

“Ka ardhur koha për drejtësi, ka ardhur koha të punohet vetëm me drejtësi”.

“Ka ardhur koha që të votohet për Partinë e Drejtësisë, sepse është partia e vetme e cila garanton që do të jetë një digë e qëndrueshme dhe e pakapërcyeshme për të gjitha dukuritë negative në shoqëri, përfshirë korrupsionin institucionale dhe krimin e organizuar”.

“Është kjo plaga më e madhe e shoqërisë sonë. Nuk mund të mendohet për kurrfarë zhvillimi ekonomik, për asnjë përparim në shëndetësi, arsim, kulturë, sport, në qoftë se nuk e çrrënjosim korrupsionin institucional nga komunat tona”.

Nysret Berisha, bartës i listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e Partisë së Drejtësisë, tha se kanë borxh dhe obligim të punojnë për të mirën e qytetarëve të Klinës, duke përmendur me rend ngecjet dhe dështimet e qeverisjes aktuale në komunën e Klinës.

“E kemi për obligim ndaj qytetarëve tanë që të punojnë çdo ditë e më shumë në mënyrë që të kenë një derë ku mund të drejtohen për një të ardhme më të ndriçuar”.

“Ne si përfaqësues të zgjedhur kemi menduar që çështjet e preokupojnë komunën tonë janë çështjet që kanë të bëjnë me familjen, pastaj edhe më çështje tjera. Komuna jonë ka shumë probleme, një ndër to është edhe arsimit. Probleme kemi edhe me çështje të ujit, kanalizimit dhe shumë çështje tjera”.