Kobane çlirohet tërësisht nga ekstremistët e ISIS-it
Forcat kurde, të mbështetura edhe me sulme ajrore të aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të, pas katër muaj luftimesh, të hënën e kanë rimarrë kontrollin e plotë të qytetit Kobane nga militantët e Shtetit Islamik.
Bota
Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, ka njoftuar se ekstremistët janë dëbuar nga ky qytet që gjendet në afërsi të kufirit Siri-Turqi, raporton REL.
Abdel Rahman, drejtor i këtij observatori, i ka thënë agjencisë AFP se kurdët janë duke i ndjekur edhe disa xhihadistë në rrethinat në lindje të Kobanes por, sipas tij, luftimet brenda qytetit tashmë të shkatërruar kanë përfunduar.
Kobane është bërë simbol i luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët, verën e kaluar kanë marrë nën kontroll territore të mëdha në Irak dhe Siri.
Grupi militant ka humbur më shumë se 1,000 luftëtarë në përpjekje për të marrë kontrollin e këtij qyteti që nga 16 shtatori.
Ndërkohë, një oficer i lartë i ushtrisë irakiane ka njoftuar se forcat irakiane e kanë çliruar nga ekstremistët islamikë tërë provincën lindore Diyala.