Koalicioni VV-AAK, flet Imer Rusinovci

Në emisionin Ora e Fundit, në Klan Kosova, i ftuar ishte Imer Rusinovci, asambleist i AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i cili ka folur për bisedimet që po zhvillohen për marrëveshjen e mundshme në mes AAK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

26/01/2016 03:32

“Sot lajmi në media ka qenë se është zyrtarizuar koalicioni në mes të AAK-së dhe VV-së në nivel të pushtetit lokal”.

“Unë e përgëneshtroj këtë, sepse nuk është zyrtare, pavarësisht shumë negociatave që janë bërë dhe bëhen në vazhdimësi për një gjë të tillë”.

“Për korrektësi duhet të them se AAK para dy viteve nuk ka pasur pretendime për pushtet në nivelin lokal. Kemi qenë një prej subjekteve të vetme që nuk kemi kërkuar as post kryesuesi dhe as post në Qeverinë lokale”.

“Jemi deklaruar për një krah opozitar, por me kusht që të jemi një opozitë konstruktive dhe të mos bllokojmë asnjë proces”.

“Pas një periudhe relativisht të shkurtër, kur PDK dhe LDK bënë koalicion në nivel qendror, edhe politika në pushtetin lokal ka ndryshuar”.

“Kjo ka qenë nismë e imja me grupin e asambleistëve të AAK-së që proceset të cilat janë fundamentale për kryeqytetin të mos bllokohen”.

“Megjithatë, kemi ardhur në një situatë kur është një krizë institucionale, politike”.

E sipas tij zgjidhja duhet të fillojë nga kryeqyteti.

“Nga këndvështrimi im, Prishtina duhet të jetë një model i mirë edhe për komunat e tjera”.

“Ka pjesë përbërëse në AAK të cilët negociojnë në vazhdimësi, por unë nuk jam pjesë e një ekipi të tillë”.

Kjo sipas Rusinovcit vjen pasi AAK-ja ndodhet në një reformë.

“Ne si subjekt politik ndodhemi në një reformë të thellë partiake ku po bëhet një punë shumë intensive”.

“Unë më tepër kam punë në reformën e programit në nivel qendror për Departametin e Bujqësisë, megjithatë nuk i iki përgjegjësisë së një asambleisti”.

“AAK duhet të kërkojë poste aq sa e ka forcën në Kuvendin Komunal”.

Ai thekson platformën për qeverisje lokale, të krijuar në bashkëpunim me Besnik Tahirin, të cilin e konsideron si një program të përsosur për pushtetin lokal.

“Mirëpo, qëndrimin zyrtar do ta marrin subjektet politike”.

“Pavarësisht se në fillim PDK ka qenë përkrahëse e VV-së, me krijimin e koalicionit në nivel qendror situata ka ndryshuar”.

“Ne kemi një ngërç, sepse seancat e fundit nuk kanë qenë efikase”.

E fajtorë për këtë ai i sheh të gjitha subjektet në nivel komunal.

“Ka gabime edhe te blloku opozitar, por edhe te VV, e cila duhet që në mënyrë më të drejtë t’i orientojë kahjet zhvillimore”.

Sa i përket mënyrës së qeverisjes së Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, Rusinovci mendon se ai duhet të japë më shumë për kryeqytetin.

“Nëse flasim për Shpendin si personalitet mendoj se ai ka një bagazh profesional”.

“Por, qeverisja e tij në nivel të pushtetit lokal ka mundësi të japë rezultate më të mira në raport me ato që ka dhënë deri më tash”./KlanKosova