KMShK u kërkon gazetave e portaleve t’i verifikojnë informatat para se t’i plasojnë ato
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka shqyrtuar në mbledhjen e sotme ankesën e gazetarit në pension, Fahri Musliu, kundër disa gazetave dhe portaleve të Kosovës të cilat, duke u mbështetur në një artikull të botuar në portalin kroat “Dnevno.hr”, ribotuan disa artikuj që pretendonin se Musliu ishte babai i kryeministrit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajme
“KMShK, edhe këtë herë tërheq vërejtjen se përgjegjësia e mediave nuk përfundon vetëm duke cituar median burimore, por duhet edhe vetë të gjurmojnë për të plotësuar kriteret etike të shkrimit në mënyrë që të verifikohet informata dhe të arrihet deri te e vërteta”, thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga ky Këshill.
Sipas Këshillit, mediat duhet të kujdesen dhe gjithmonë duhet ta marrin parasysh dinjitetin e njeriut, të familjes dhe rrethit të tij kur huazojnë shkrime pa i verifikuar ato.
Veç kësaj, në mbledhjen e sotme, KMShK shqyrtoi edhe ankesën e Muharrem Sfarqa, kryetar i Komunës së Ferizajt, kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin “Nuk ka buxhet për veteranët e UÇK-së”.
“Në këtë ankesë u kërkua që gazeta ta botojë reagimin e Muharrem Sfarqa. Meqë gazeta ‘Kosova Sot’ e kishte botuar në tërësi reagimin, KMShK konstatoi se u plotësua kërkesa e ankuesit dhe se opinioni ka mundur të informohet edhe për pikëpamjet e Sfarqa, në të mirë të informimit të plotë”, thuhet në njoftim.