KMDLNj: Trajkoviq përfaqëson interesat e Serbisë e paguhet nga Kosova

KMDLNj vlerëson se deputetja Rada Trajkoviq pati qasje paragjykuese sot në seancën e Kuvendit. Ky Këshill thotë se Trajkoviq që nga fillimi i mandatit të saj e ka mohuar shtetin e Kosovës duke diskutuar sikur të ishte deputete e Kuvendit të Serbisë.

Lajme

27/03/2014 17:06

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) vlerëson se deputetja Rada Trajkoviq bëri kërkesë dhe pati qasje paragjykuese. Përmes një komunikate KMDLNJ, thotë se Trajkoviq e cila që nga fillimi i mandatit të saj si deputete e ka mohuar shtetin e Kosovës duke diskutuar sikur të ishte deputete e Kuvendit të Serbisë ndonëse rrogën dhe beneficionet e tjera si deputete i merr nga Buxheti i Kosovës, në seancën e Kuvendit të Kosovës të datës 27 mars 2014 doli me dy kërkesa paragjykuese për pafajësinë e të arrestuarit dhe të dyshuarit për krime lufte Oliver Ivanoviq dhe fajësinë e kryetarit të Q.R të KMDLNj-së në Mitrovicë, Halit Barani i cili, sipas deputetes Trajkoviq po bën presion te dëshmitarët të japin deklarata akuzuese dhe të rreme kundër të arrestuarit për krime lufte z. Oliver Ivanoviq.

Deputetja Trajkoviq kërkoi që puna e Halit Baranit të monitorohet , gjë që është thirrje e hapur për pengimin në punën e Halit Baranit dhe mbase edhe arrestimin e tij.

“Ky pro pozim i Trajkoviq është ndërhyrje në punën e një institucioni të pavarur siç është KMDLNj informatat e së cilës nuk kanë mundur të përgënjeshtrohen asnjëherë, që nga fillimi i aktivitetit të këtij këshilli nda data 14 dhjetor 1989 (kur është themeluar) deri më 27 mars 2014 kur edhe është duke funksionuar. As regjimi i Serbisë që ka kryer krime në Kosovë, policia e as organet hetuese serbe, nuk kanë qenë në gjendje të demantojnë informatat dhe raportet e KMDLNj-së. Deputetja Rada Trajkoviq që përfaqëson interesat e Serbisë në Kuvendin e Kosovës e që paguhet nga Buxheti i Kosovës po bënë përpjekje të ndikojë te hetuesit në rastin Ivanoviq duke deklaruar se Oliver Ivanoviq është i pafajshëm ndërsa Halit Barani qenka fajtor. Është parim dhe standard juridik se çdo i arrestuar llogaritet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente”, thuhet në reagimin e tyre.

KMDLNj thonë se deputetja Trajkoviq duhet ta ketë të qartë se aleatët më të mirë dhe më të besueshëm të prokurorive dhe gjykatave që merren me rastet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit janë pikërisht OJQ-të për të drejtat e njeriut.

Edhe KMDLNj është organizata e parë joqeveritare që ka vendosur bashkëpunim me Tribunalin e Hagës duke dorëzuar kallëzime penale për të dyshuarit, duke dërguar material dëshmues dhe duke siguruar dëshmitarë për këtë dhe Gjykatat tjera për krime lufte.

Thonë se ata dhe Halit Barani, nuk kanë nevojë të bëjnë presion ndaj dëshmitarëve në rastin kundër Oliver Ivanoviqit sepse dëshmitë për këtë rast janë marrë nga dëshmitarët okular gjatë viteve 1998, 1999 dhe në vitin 2000 kur u bë spastrimi etnik i Mitrovicës nga shqiptarët dhe joserbët me ç’ rast u vranë 11 shqiptarë dhe boshnjak ndërsa u shpërngulën afërsisht 14,000 shqiptarë dhe joserbë.

Ne vetëm kemi of ruar deklarata dhe dëshmi të dëshmitarëve okularë në rastin Ivanoviq duke mos paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e z. Ivanoviq sepse kjo është kompetencë apo përgjegjësi e gjykatës përkatëse. Ashtu kemi vepruar edhe për rastet tjera dhe materialet e KMDLNj –së të qasshme për të gjithë. KMDLNj nuk i ndanë as viktimat dhe as kriminelët në baza etnike. Viktimat i trajton si viktima ndërsa kriminelët i trajton vetëm në bazë të një vendimi të formës së prerë të gjykatës.

KMDLNj qëndron fuqishëm prapa aktivistit mbi 25 vjeçar të Halit Baranit si përgjegjës i KMDLNj-së për Mitrovicë andaj i hedh poshtë këto propozime të çoroditura të deputetes Trajkoviq të cilat nuk do t’i pranonte as Vladimir Putini.

“KMDLNj i sugjeron deputetes së Serbisë në Kuvendin e Kosovës Rada Trajkoviq që të vizitojë ekspozitën që e ka hapur në Mitrovicë ditë më parë kryetari i Q.R në Mitrovicë, Halit Barani për kr imet e ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe ndaj civilëve shqiptarë në vitet 1998-99 e të mos përpiqet t’i instalojë metodat e UDB-së në kontrollimin e jetës dhe çdo gjëje në Kosovë siç ka vepruar nga vitet 1945-99 e që po e bënë edhe sot”, thuhet në këtë reagim.

(Rtklive)