KMDLNJ: SBASHK-u po i keqpërdorë nxënësit, po ua shkelë të drejtat e tyre

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar lidhur me grevën njëditore në sistemin e arsimit.

Lajme

12/03/2018 10:51

KMDLNJ thekson se SBASHK-u po manipulon me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si dhe me studentët e pesë universiteteve publike.

“…Me këto greva që janë tipike shantazhuese, SBASHK po e rrezikon procesin mësimorë e që po e dobëson sistemin arsimorë i cili edhe ashtu përballet me njëqindmijë probleme. SBASHK nuk ka nënshkruar kurrfarë marrëveshje me institucionet përkatëse të cilat do ta merrnin si obligative zbatimin e marrëveshjes por ka rënë ‘viktimë’ e premtimeve të fushatës, e të cilat në të shumtën e rasteve nuk respektohen nga subjektet politike”, thuhet në reagim.

KMDLNj thekson se i përkrahë përpjekjet e SBASHK për të siguruar të drejtat për punëtorët arsimorë të viteve të 90 –ta sikur që është njohja e stazhit  të punës që fillimisht ka qenë edhe kërkesë e SBASHK për të kaluar pastaj edhe në kompensim material, si kërkesë tjetër.

“Pasi që institucionet e Kosovës i kanë kompensuar thuaja të gjitha kategoritë që u takon kompensimi sipas ligjeve në fuqi , po këto institucione duhet të gjejnë mundësi t’i kompensojnë edhe punëtorët e arsimit të viteve të 90 –ta”, thuhet në reagim

“SBASHK, në kuadër të veprimeve sindikaliste në mbrojtje të interesave të atyre që i përfaqëson ka të drejtë t’i thërrasë në grevë vetëm ata që janë anëtarë të SBASHK-ut, kurse as nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sikur që as studentët nuk janë anëtarë të SBASHK prandaj manipulimi me ta, përveç se paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut, është në kundërshtim me ligjet në fuqi sepse detyrimi është vepër penale”, thuhet më tej.

KMDLNj u bënë thirrje të gjithë prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla, mos ta humbin mësimin dhe me grevë të merren ata që janë anëtarë të SBASHK.

“KMDLNj i bënë thirrje SBASHK të ndalojë së manipuluari me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sikur edhe me studentët e pesë (5) universiteteve publike dhe të merret ekskluzivisht me anëtarësinë dhe me ta të bëjë greva në të kundërtën do të hyjë në regjistrin e atyre që ua shkelin të drejtat e njeriut shkollarëve dhe studentëve të cilët janë të detyruar të mos shkojnë në shkolla dhe universitete”.