​KMDLNj: Ministria e Financave po i shkel të drejtat e nënave lehona

Për të gjitha nënat lehona të cilat në vitin e fundit nuk kanë qenë të angazhuara me punë, Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2021, mori vendim që të paguajë të njejtat për periudhën gjashtë mujore mbështetje financiare 170 Euro. Kjo pagesë njihet si masa 3.5 – Pagesa për Lehona dhe Shtesat për fëmijë.

Lajme

07/07/2022 12:07

Në komunikatën e KMDLNj-së mes tjerash, thuhet se pas këtij vendimi nënat lehona kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të përfituar nga kjo masë. Në KMDLNj kohëve të fundit kemi pranuar ankesa se Ministria e Financave dhe e Transfereve po ua shkel të drejtën në përfitimin e kësaj të drejte të shumë nënave lehona. Disa nga to kanë qenë të angazhuara në punë një ditore, kryesisht në procesin zgjedhor në Kosovë e që pa të drejtë ka qenë arsye për Ministrinë t’ua ndalë të drejtën për këto përfitime. Ministria ka një linjë telefonike e cila gjatë 90% të kohës është e paqasshme për t’u informuar në lidhje me mos pagesat e lehonave. Edhe KMDLNj e ka vërtetuar këtë pohim të nënave lehona. Kurse, përveç linjës telefonike, ka edhe një “komision” i cili i shqyrton ankesat e lehonave. Sipas pohimeve që i kemi marrë nga zyrtaret e linjës telefonike pa pagesë, ky komision nuk dihet se kush e përbënë, kur takohen, ku apo si i shqyrtojnë ankesat?! Ka një email adresë në të cilën mund të drejtohesh por që asnjëherë nuk merr përgjigje.

Pas insistimeve të KMDLNj-së për një rast të veçantë zyrtaret e linjës telefonike na pohojnë se “mos i jep zor bre se s’ka qare pa i marrë ato pare”!!!!!

Mohimi i të drejtës fillimisht për t’u informuar i të gjitha nënave lehona për të realizuar të drejtën e tyre paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Qasja dhe sjellja e zyrtareve të cilat përgjigjen në linjën telefonike duhet të jetë në përputhje me sjelljen zyrtare duke respektuar të drejtën e nënave për informim. Ministria duhet urgjentisht t’u kthej përgjigje të gjitha nënave të cilat po presin përgjigje për realizimin e të drejtës së tyre. Gjithashtu, komisioni i cili vlerëson ankesat duhet të jetë më i përgjegjshëm në trajtimin e lëndëve dhe informimin e palëve për ankesën e tyre.

Po ashtu, për KMDLNj është e papranueshme qasja e zyrtarëve që mjetet do i marrin por “nuk duhet me i dhënë zor” kjo është fyese dhe qasja e tillë duhet ndaluar. Të gjitha nënat lehona duhet të realizojnë të drejtën e tyre në përfitimin e drejtë dhe në kohë të mjeteve nga Masa 3.5.

KMDLNj inkurajon të gjitha nënat lehona që të paraqesin rastet e tyre në KMDLNj.

KMDLNj thërret që Ministria e Financave të ndalojë vazhdimin e këtyre shkeljeve dhe të u përgjigjet të gjitha atyre që kanë parashtruar ankesë në mos realizimin e të drejtës së tyre, thuhet në komunikatë.