KMDLNj: Krasniqi dhe Ramiqi u trajtuan korrekt nga Policia

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të Njeriut (KMDLNj) thotë se të enjten monitorues të saj, në kuadër të mandatit të tyre, vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë dhe biseduan me të ndaluarit F. R., Sh. K. dhe T. A., të cilët  që u arrestuan më 17 shtator në ”grupin e imamëve “.

Lajme

18/09/2014 21:21

Tre të intervistuarit i deklaruan monitoruesve të KMDLNj-së se janë arrestuar mëngjesin e 17 shtatorit në Prishtinë dhe se gjatë arrestimit të tyre Policia e Kosovës ka pasur sjellje korrekte.

Ndaj tyre nuk ka pasur përdorim të forcës , fyerje apo kërcënim dhe të arrestuarit janë njoftuar me të drejtat e tyre.

Të ndaluarit gjithashtu kanë deklaruar se kanë qenë të pranishëm gjatë bastisjes dhe se kanë nënshkruar procesverbalin për bastisje me gjërat që janë konfiskuar nga ana e policëve.

Gjithashtu, gjatë intervistimit në polici të ndaluarit i kanë dhënë deklaratat në prani të avokatëve që i kanë angazhuar vet apo që u janë caktuar sipas detyrës zyrtare.

Monitorues të KMDLNJ-së vlerësojnë se gjatë arrestimit, si dhe gjatë ndalimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria.

KMDLNj kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të angazhohen për krijimin e kushteve më të mira për punë për gardianët që punojnë aty dhe stafin administrativ, si dhe për personat e ndaluar, sepse Qendra e Ndalimit në Prishtinë nuk i plotëson kushtet e parapara sipas standardeve të përcaktuara për personat e privuar nga liria.