Klubi i Prodhuesve për helmimin e komisionerëve: Fajtorët duhet të dënohen
Klubi i Prodhuesve ka reaguar ndaj helmimit të rreth 26 zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kanë qenë të ngarkuar me numërimin e zarfeve me fletëvotimet e ardhura nga Serbia.

Lajme
Në një komunikatë për media, Klubi i Prodhuesve rastin në fjalë e ka konsideruar vepër të rëndë, për çka ka kërkuar dënimin e fajtorëve.
Reagimi i plotë:
Ky akt në radhë të parë shkel rëndë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por çka është më e rëndësishmja ky helmim është vetëm vazhdim i agresionit serb ndër vite, me helmimet masive të studentëve kosovar, por edhe “helmimet” e vazhdueshme që Serbia ka bërë me produktet e tyre për tregun e Kosovës. Me vite të tëra Serbia ka eksportuar produkte të cilat kanë mundur lehtësisht të kenë përmbajtje të tillë si ajo e ditës së djeshme. Kjo situatë nuk dallon asgjë nga ngjarjet e viteve të kaluara, por edhe tregon që qëllimet agresive të Serbisë mbeten gjithmonë të njëjta.
Klubi i Prodhuesve shpreh shqetësimin dhe kërkon nga autoritetet e vendit tonë që të reagojnë dhe kërkojnë zbardhje të rastit dhe moslejim të skenarëve të ngjashëm të ndodhin përsëri. Por kërkon edhe një herë që produktet e Serbisë të bojkotohen plotësisht nga qytetari i Kosovës. /Lajmi.net/