Klina priti një mysafir të veçantë sot

Qyteti i Klinës sot ka pritur një mysafir të veçantë.

Sport

12/07/2019 16:15

Është futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Shkëlzen Gashi, që ka qëndruar gjatë ditës së sotme (e premte) në këtë qytet.

Shkëlzen Gashi, me propozim të kryetarit të komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe me miratimin e këshilltarëve komunal, në një seancë solemne të kuvendit komunal, i është ndarë titulli “Nderi i Qytetit”.

Gashi është nderuar për nderin që i ka bërë qytetit dhe qytetarëve të Klinës, gjatë karrierës së tij me Kombëtaren Shqiptare dhe me ekipe të ndryshme të futbollit në botë.

Shkëlzen Taib Gashi është lindur me 15.07.1988 në Çabiq të Klinës. Si futbollist profesionist, në moshën 18 vjeçare, debuton për herë të parë në Superligën e Zvicrës, për të vazhduar karrierën profesionale me Bellinzona për një vit e gjysmë. Në dhjetor të vitit 2014, nga Shoqata e Futbollit në Zvicër, merr çmimin më të lartë në futbollin Zviceran “LOJTARI MË I MIRË PËR VITIN 2014”.

Pas përfundimit të kontratës me Baselin në janar të vitit 2016, vazhdon karrierën profesionale në ekipin e futbollit Kolorado Rapid në SHBA, ku ende është aktiv, ndërsa është edhe pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë në futboll.

Gashi ishte pjesë kyçe e suksesit të Kombëtares Shqiptare, që në vitin 2016 shkroi historinë, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian që u mbajt në Francë./Lajmi.net/