Kjo është porosia e QUINT’it

Shtetet e QUINT’it bëjnë thirrje për një proces demokratik të zgjedhjeve më 3 nëntor. Thonë se këto zgjedhje janë element thelbësor që ndihmon në vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës europiane. Jo dhunë, frikësim, presion, e parregullësi.

Lajme

31/10/2013 18:50

Përfaqësuesit e shteteve të QUINT’it, në një deklaratë të përbashkët, kanë bërë thirrje për një proces të qetë zgjedhor, me 3 nëntor, në të cilin do të respektohen të gjitha parimet demokratike.

Sipas tyre, është e rëndësishme që këto zgjedhje, të cilat për herë të parë mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës, të jenë arsye për të dërguar një hap më tutje normalizimin e sistemit komunal në tërë Kosovën.

“Njësi matëse për suksesin e këtyre zgjedhjeve do të jetë nëse ato do të rezultojnë me zgjedhjen e liderëve legjitimë në secilën komunë të Kosovës, të zgjedhur në një proces pa parregullsi dhe të metat që kanë ndodhur në të kaluarën.”

“Prandaj, është e rëndësishme që të mirëpritet Misioni i parë i BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, i cili do të monitorojë procesin zgjedhor dhe së bashku me vëzhguesit e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë do ta vlerësojë korrektësinë e procedurave”.

“Ne gjithashtu e përgëzojmë OSBE’në për rolin e saj lehtësues për mundësimin e këtyre zgjedhjeve në tërë kompleksitetin e tyre”.

“Zgjedhjet e 3 nëntorit do të mbahen pas fillimit të negociatave në mes të Bashkimit Europian dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe pasi Kosova ka bërë përparim të vërtetë në procesin e liberalizimit të vizave”.

“Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me zotimet e OSBE’së dhe standardet ndërkombëtare, si dhe përmbyllja e reformës zgjedhore, janë elemente thelbësore që do ta ndihmojnë vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës europiane”.

“Është e një rëndësie jetike që zgjedhjet të mbahen në tërë Kosovën në mënyrë të qetë dhe paqësore.”

“Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta bëjnë më të mirën për ta dekurajuar çfarëdo formë të dhunës, frikësimit apo presionit, në mënyrë që njerëzit të jenë të lirë ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe shprehur mendimet individuale politike pa ndërhyrje apo kërcënime për ndëshkim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të shteteve të QUINT’it.