Kjo është krijimtaria e akademik Kristo Frashëri
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka njoftuar se historiani i njohur Kristo Frashëri, është ndarë nga jeta mbrëmjen e së dielës nga vdekja natyrale.

ShowBiz
Historian, profesor, akademik. Lindi në Stamboll. U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë më 1927. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences, transmeton lajmi.net
Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në radhët partizane. Në vitin 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (Sektori i kreditit).
Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955). Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT.
Më 1966 u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit; më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension.
Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: antikiteti, mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe koha e sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore.
Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Si pedagog i Historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj.
Ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të kl. I (1961, 1984). Është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”. /lajmi.net