Kjo është këshilla e Berbatov për Manchester United

Ish sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, ka dhënë një këshillë për drejtuesit e ish skuadrës së tij.

Sport

22/03/2019 18:03

Sulmuesi bullgar ka bërë thirrje që situata në ‘Old Trafford’ të sqarohet, duke këshilluar që Ole Gunnar Solskjaer të emërohet trajner i skuadrës.

“Duke folur si një ish lojtar, jam i sigurt se do të ishte i mirëpritur një qartësim në situatën e Solskjaer tek skuadra” ka thënë Berbatov për ‘Betfair’ transmeton lajmi.net.

“Është e lodhshme që të ketë kaq shumë ndryshime në stafin e trajnerëve. Skuadra ka nevojë për stabilitet. Për një skuadër që nuk ndërroi trajner në 25 vite, të ndërrohen kaq shumë në një kohë të shkurtër, është e vështirë” ka thënë tutje ai.

“Ole ishte i aftë që ta ngjallte shpirtin, skuadrën, gjithçka në klub. Ai ishte personi që morri përgjegjësi në këtë situatë të vështirë” ka thënë ndër të tjerash bullgari, duke insistuar se norvegjezi ‘ka fituar’ pozitën e tij.

Berbatov ka qenë një ndër sulmuesit më të pëlqyer nga tifozët në ‘Old Trafford’. Ai ishte edhe reprezentues i Bullgarisë, kombëtare me të cilën Kosova luan ndeshjen e ardhshme. /Lajmi.net/