Kjo është disiplinë: Tifozët e Eintracht ndaluan vrapin drejt fushës kur e kuptuan që mund të pezullohen

Eintracht Frankurt po shënon një sukses historik duke arritur në gjysmëfinale të Ligës së Evropës për herë të parë pas 39 viteve.

Sport

19/04/2019 12:38

Skuadra gjermane këtë sukses e ka arritur pas fitores 2:0 në shtëpi ndaj Benficas në ndeshjen e kthimit.

Benfica edhe pse kishte epërsi 4:2 nga ndeshja e parë, është përmbysur nga skuadra gjermane në një atmosferë që në pak stadiume të Evropës sot mund ta gjesh.

Fishkëllima e fundit e gjyqtarit në këtë ndeshje, solli festë të madhe te tifozët vendas, ku një pjesë e tyre mësynë fushën, duke rrëzuar edhe hapësirat reklamuese.

Por, për fatin e mirë të tyre ata shpejt kanë kuptuar se çfarë mund t’i gjejë nëse do të shkelnin në barin e stadiumit.

Një hyrje e tyre në fushë, do të sanksionohej me pezullim të sigurt të tribunave nga UEFA për ndeshjen gjysmëfinale kundër Chelsea.

Euforia për të hyrë në fushë dhe ndalesa e menjëhershme kur kuptojnë se çfarë i pret nëse shkelin rregullat, përbën një disiplinë të pabesueshme të respektimit të këtyre rregullave./Lajmi.net/