Kjo është data e zgjedhur për zgjedhje nga Kurti, i dorëzohet presidentes Osmani me shkrim
Anipse nuk shkoi në takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për diskutimin mbi datën e zgjedhjeve nacionale, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka një datë të preferuar. Përmes një letre të dërguar tek Presidenca e Kosovës, Kurti i ka bërë të ditur presidentes se cila është data më e konvenueshme për zgjedhjet e…

Lajme
Anipse nuk shkoi në takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për diskutimin mbi datën e zgjedhjeve nacionale, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka një datë të preferuar.
Përmes një letre të dërguar tek Presidenca e Kosovës, Kurti i ka bërë të ditur presidentes se cila është data më e konvenueshme për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas burimeve të lajmi.net data e preferuar e Lëvizjes Vetëvendosje është 2 shkurt.
Kësisoj i bie që Qeveria Kurti ta çoj mandatin deri në fund e më pas të shkohet në zgjedhjet e rregullta, të reja.
Për dallim nga partitë e tjera në vend, Vetëvendosje zgjodhi një tjetër datë si të preferuar.
PDK, LDK dhe AAK zgjodhën 26 janarin si datën e tyre të preferuar për zgjedhjet e ardhshme.
Më 31 korrik, Osmani është takuar me liderët e partive politike në vend. Të pranishëm në këtë takim ishin të gjithë përfaqësuesit e partive politike në vend, duke përjashtuar këtu Albin Kurtin si dhe ata të Listës Serbe.
Pas këtij takimi, presidentja Osmani është pyetur për mungesën e Kurtit derisa tha se i ishte thënë se Kurti është jashtë vendit, por se më pas e kuptoi se në fakt ishte në zyrë.
Megjithatë nga Qeveria e Kosovës e arsyetuan mungesën e Kurtit me një takim që kinse e kishte me patjetër të merrte pjesë, e që ishte me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Pavarësisht afërsisë që kanë zyrat e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti ai zgjodhi që datën e pëlqyer për zgjedhje Osmanit t’ia dërgojë me letër.
Ani pse një ditë më parë nga Vetëvendosje u tha se në takim do të marrë pjesë nënkryetari Glauk Konjufca, një gjë e tillë nuk u bë pasi Presidentja në takim ftoi liderët, e jo nënkryetarët.
Kurse Mimoza Kusari-Lila si kryetare e partisë Alternativa njëherësh edhe shefe e deputetëve të LVV-së, i pati përmendur dy data – 9 dhe 16 shkurtin.
Në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve, Presidentja Osmani tha se dje se tashmë ka marrë përgjigje nga shumica e partive politike.
“Unë s’po e bëjë të ditur sot datën, megjithatë ju kemi dhënë partive kohë deri në fund të kësaj jave që nëse kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë ta ngrisin në ndërkohë. Kemi marrë përgjigje nga shumica dërrmuese. Kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar nëse kanë vlerësime shtesë dhe pasi përfundon orari nesër, ulemi, dëgjojmë vlerësimet e kabinetit tim, të ekipit ligjor.Të gjitha partitë i kanë ngritur çështjet e tyre, por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme, të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë me pak, besoj që nuk bënë diferencë të madhe. Po, ne i kemi njoftuar publikun para dy ditësh që kryetari i VV-së, njëkohësisht kryeministri më ka njoftuar me shkrim në lidhje me datën e preferuar të VV”, ka thënë presidentja Osmani.
Kurse Komisioni Qendror Zgjedhor është në pritje të vendimit të presidentes Osmani për datën e zgjedhjeve, në mënyrë që të nisin përgatitjet.
Mirëpo këtë vit, votimi do të bëhet me disa ndryshime.
Së pari, votuesit do të kenë të drejtë të zgjedhin deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur janë zgjedhur deri në 5 kandidatë.
Së dyti, në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike dhe jo ajo e kandidatëve.
Kjo, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’ia mundësojë Komisionit që brenda një kohe të shkurtër t’i publikojë rezultatet preliminare.
Duhet përkujtuar që ishte pikërisht zyrtarja me “nam” e Vetëvendosjes, Dejona Mihali që menjëherë pas takimit të Osmanit me liderët e partive pati bërë të ditur veçse se VV nuk do datat si 24 dhjetor apo 26 janar.
Madje ajo ishte munduar që këto data ti lidhë me festat.
Me një arsyetim krejtësisht pa ide funksionale, Mihali tha se opozita po dëshmojnë të fillojnë fushatë zgjedhore më 24 dhjetor, një ditë para krishtlindjeve.
“Interesant çfarë opozite. Po dëshirojnë të fillojnë fushatë zgjedhore me 24 dhjetor.Një ditë para krishtlindjeve.Dy javë para vitit të ri të bëjnë fushatë.E me 26 janar të jenë zgjedhjet.Me siguri shumë ekspertë e profesorë që kanë brenda e jashtë kryetarët aktual e kanë analizuar gjatë këtë temë. Dhe kanë dalë në konkluzion që fushata më e mirë është për pushime të vitit të ri.
Kjo është pikërisht një nga ato temat që më mirë kur i thotë Vlora Çitaku dhe Hykmete Bajrami. Nejse edhe Ramush Haradinaj se dhe AAK e ka këtë kur kanë me thënë nga ato gjërat që skuqen të gjithë nga turpi”,pati thënë ajo.
E padyshim se fjala e Mihalit është dëgjuar, e Kurti vendosi që data e preferuar e tyre të jetë 2 shkurti./Lajmi.net/