Kjo është çmenduri

Jakup Krasniqi thotë se askush nuk ka të drejtë t'i kërcënojnë punëtorët e shërbimeve të përmendura me humbjen e vendit të punës, për shkak të bindjeve të tyre politike.

Lajme

25/10/2013 11:16

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj kërcënimeve publike, që sipas tij, po u bëhen punëtorëve të arsimit, të administratës, të shëndetësisë nga partitë në pushtet.

Krasniqi, i cili ka dalë në mbështetje të dy Iniciativave Qytetare në Drenas dhe Malishevë, ka shkruar në Facebook se askush nuk ka të drejtë t’i kërcënojnë punëtorët e shërbimeve të përmendura me humbjen e vendit të punës, për shkak të bindjeve të tyre politike.

“Joshja dhe kërcënimi publik që u behët punëtorëve të arsimit, të administratës, të shëndetësisë, të policisë dhe të shfrytëzuesve të ndihmave sociale se do të largohen nga puna apo ndalen ndihmat sociale janë veprime jo vetëm të pa drejta, por janë edhe të dënueshme dhe nuk guxojnë të ndodhin në një shoqëri demokratike, në Kosovën Europiane”.

“E njëjta vlen edhe për punëtorët e atyre shërbimeve publike, të cilët nuk guxojnë t’i shfrytëzojnë vendet e punës për lobime politike, pasi që të gjithë paguhen nga paraja publike. Të qenit punëtorë publik nuk i pengon ata të votojnë për subjektin apo kandidatët që ju besojnë”.

“Partitë politike, të pozitës apo të opozitës, nuk kanë asnjë të drejtë t’i kërcënojnë punëtorët e shërbimeve të përmendura me humbjen e vendit të punës, pasi Buxheti nga i cili paguhen ata është buxhet publik. Përkundër kësaj, njerëzit në Kosovë po vazhdojnë të kërcënohen nga partitë që qeverisin në nivelin lokal”.

Jakup Krasniqi thotë se praktika të tilla të kërcënimit të largimi të  punëtorëve kanë ngjarë para luftës në Kosovë.

“Kërcënimet e kësaj natyre, gati çdo njëri nga ne i ka përjetuar para qershorit 1999, të përsëritët e njëjta praktikë e shëmtuar edhe 14 vjet pas çlirimit, është çmenduri”.

“Ato janë veprime që dikur i ka pas instaluar famëkeqja UDB’a serbe/jugosllave. Vazhdimi i atyre praktikave, sigurisht që nuk i duhet askujt e aq më pak qytetarit në një shoqëri demokratike”.

“Qytetarë e Kosovës e kanë për obligim që të shkëputen nga praktikat e tilla dhe të nisin një fillim të ri, fillimisht në qeverisjen lokale e pastaj edhe në zgjedhjet për Institucionet qendrore që priten të organizohen në vitin 2014”.

Krasniqi thotë se rirreshtimi politik në Republikën e Kosovës është bërë domosdoshmëri nëse duam ndryshime të thella në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës.

“Të përfundojmë shtetit tonë nuk i duhen qytetarët e pa dinjitetshëm, frikacak e servilë, përkundrazi i duhen qytetarët e dinjitetshëm, të guximshëm e të vendosur për t’i emëruar gjërat ashtu siç janë, pra i duhen qytetarë të ndershëm e të qëndrueshëm”.

“Lufta duhet të bëhet me qytetarë të dinjitetshëm për qytetarë trima e të ndershëm si gjithherë deri tash. Kjo është çështja që duhet të ndodhë pa u vonuar në Republikën e Kosovës”.