“Kikirikët” e Pejës kryejnë vjedhje të rëndë, arrestohet njëri, dy në arrati

Policia Rajonale e Pejës ka arritur të arrestoj një të mitur dhe të identifikojë dy të tjerë, pjesëtarë të grupit tashmë të njohur kriminal “Kikirikët” e Pejës. Të dyshuarit 15, 14 dhe 13 vjeçar, kanë kryer një vjedhje të rëndë në një banesë në Pejë më datë 1 të këtij viti. 

Lajme

06/01/2015 16:50

Policia ka identifikuar tre të dyshuar për vjedhje të gjësendeve me vlerë, më datë 1 të këtij muaji në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, duke arritur që të arrestoj njërin prej tyre. 

Ndërsa burime të lajmi.net, brenda policisë në Pejë, kanë bërë të ditur, se të dyshuarit janë pjesëtarë të grupit tashmë të njohur kriminal “Kikirikët”.

Policia e Pejës bënë të ditur se rasti i verdhjes kishte ndodhur, kur tre të dyshuarit, kishin depërtuar nëpërmes dritares së banesës së viktimës duke e hapur me forcë atë me anën e një kaçavide dhe me atë rast kishin vjedhur gjësende me vlerë si: shumë stoli, të arit, laptop, parfume si dhe pesë orë dore.

Në vazhdimin e hetimeve, pas disa veprimeve operativo-hetimore, sot rreth orës 11:30, fillimisht ishte arrestuar i dyshuari G. R. 14 vjeçar, i cili është intervistuar në praninë e prindit të tij si dhe mbrojtësit, ku pranon se së bashku me të dyshuarit E.P. 15 vjecar dhe 13 vjeçarin T. B., kishin kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë në shtëpinë e viktimës Leonard F..

Policia bënë të ditur se te i dyshuari i parë është gjetur edhe një orë dore si dëshmi materiale e cila më pas është identifikuar nga viktima si pronë e tij.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit i dyshuari i parë është ndaluar për 24 orë, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në  kërkim policor.

Ky grup, i cili është përmendur shumë kohëve të fundit, kryente veprime kriminale kryesisht duke rrahur e plaçkitur bashkëmoshatarë të tyre nëpër shkollat e qytetit. (lajmi.net)