KFOR-i: FSK s’është UÇK, s’bëhet fjalë për ta çarmatosur

Komandanti i KFOR-it, Lorenzo d'Addario, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të çarmatoset sepse ajo nuk është Ushtri Çlirimtare e Kosovës.

Lajme

31/12/2018 20:44

Komandanti i KFOR-it, Lorenzo d’Addario, në një intervistë dhënë për “Tanjug”, transmeton lajmi.net, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës në bazë të mandatit të saj ajo nuk është Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe se në këtë mënyrë FSK-ja nuk mund të çarmatohet.

“Sipas përkufizimit zyrtar, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë ‘forca profesionale të sigurisë, multietnike, të armatosura lehtë dhe me uniformë, të cilat i nënshtrohen kontrollit demokratik dhe civil. Është e kuptueshme që FSK-ja nuk është as UÇK, as një grup i armatosur i shqiptarëve të Kosovës, kështu që në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ka obligim për KFOR-in. Gjithashtu, tranzicioni është një plan afatgjatë: asgjë nuk ka ndryshuar në dy javë”, ka deklaruar d’Addario.

Sipas komandantit të KFOR-it, aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë indikacion se diçka e ngjashme me atë të vitit 2004 mund të përsëritet.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga viti 2004 dhe gjendja e përgjithshme është përmirësuar dukshëm”, tha ai në një intervistë për mediat serbe.

I pyetur nëse KFOR-i duhet të çarmatosë ushtrinë e Kosovës dhe si do të reagojë në rast të vendosjes së saj në veri, komandanti i KFOR-it tha se qëndrimi i NATO-s është i qartë.

“Me ndryshimin e mandatit të FSK-së, NATO duhet të rishqyrtojë nivelin tonë të bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Tani për tani, KFOR vazhdon të punojë nën mandatin e OKB-së, dhe ligjet për transicionin e FSK-së nuk do të ndikojnë te KFOR-i”, ka deklaruar d’Addario. /Lajmi.net/