KFOR fokusohet më shumë në Veri

Komandanti i KFOR'it thotë se ky mision do të jetë vigjilent, i paanshëm dhe i vendosur për ta ruajtur paqen në Kosovë. Sipas Hajredin Kuçit, Brukseli duhet të bindet që strukturat paralele në Veri duhet të luftohen dhe të vihen para drejtësisë.

Lajme

20/09/2013 13:18

KFOR pranon se ka përqendruar përpjekjet më të mëdha në veri të Kosovës, se sa në pjesën tjetër të vendit, gjatë kryerjes së detyrave të veta në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it,Gjenerali Salvatore Farina, tha të premten se ky mision do të vazhdojë të jetë vigjilent, i paanshëm, por edhe i vendosur për ta ruajtur paqen në Kosovë

Gjenerali Farina u prit nga Zëvendës Kryeministri Hajredin Kuçi.

“Ne tashmë jemi të vendosur në veri. Përpjekjet më të mëdha janë në veri dhe do të jemi vigjilentë dhe të paanshëm, por të vendosur”.

“Ne vazhdojmë ta kryejmë misionin tonë, ne jemi tërë kohën vigjilentë. Nuk jemi më shumë të brengosur se që kemi qenë dje apo pardje. Ne do të punojmë në bashkëpunim në të mirë të popullit të Kosovës, në tërë Kosovën, natyrisht në veri do të kemi përpjekjet kryesore”.

Zëvendës Kryeministri Kuçi tha se vrasja e pjesëtarit të EULEX’it duhet ta bindë Brukselin që strukturat paralele në veri duhet të luftohen dhe të vihen para drejtësisë.

“Nuk duhet të ketë stepje nga zbatimi i marrëveshjes. I ftojmë qytetarët atje, që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të drejtësisë. I ftojmë që të bashkëpunojnë për integrim që garanton paqe, siguri dhe stabilitet për ata”.

“Kjo e ka dëmtuar imazhin e atyre që janë kundër rendit dhe ligjit, e ka dëmtuar imazhin e strukturave paralele dhe e ka forcuar bindjen tonë, besoj edhe të Brukselit dhe të tjerëve, se ata duhet të vihen para drejtësisë”.

“Ka ndodhur në një pjesë të territorit të Kosovës që ne nuk kemi sovranitet të plotë. Më vjen shumë keq ta them këtë, nuk është lajm i mirë për Kosovën, por ne shpesh ua kemi shpjeguar ndërkombëtarëve që atje kemi të bëjmë me struktura kriminale”.

Video: lajmi.net