Këto janë rregullat strikte të Forumit Ekonomik Botëror në Davos për takimet joformale

Organizatorët e Forumit Ekonomik Botëror në Davos iu kanë shpërndarë udhëzues me kushte shumë strike të gjitha delegacioneve rreth takimeve joformale.

Lajme

24/01/2019 16:20

Davosi i Zvicrës, jo vetëm që është izoluar tërësisht për shkaqe sigurie, meqë atje po qëndrojnë liderë të shumtë botërorë, por edhe takimet e liderëve i kanë mbyllur pothuajse tërësisht për publikun.

Organizatorët e Forumit Ekonomik Botëror mësohet se u kanë shpërndarë nga një udhëzues me kushte shumë strike të gjitha delegacioneve rreth takimeve joformale që do t’i kenë aty liderët botërorë.

Sipas këtij udhëzuesi, “Informal Gathering of World Economic Leaders – IGWEL” ose takimet joformale të liderëve ekonomikë botërorë mbahen brenda pa asnjë staf shtesë të liderëve.

Informal Gathering of World Economic Leaders (IGWEL) ose takimet joformale të liderëve ekonomikë botërorë, sipas organizatorëve, janë strikte dhe jozyrtare.

“Specifikisht, postimet në Twitter dhe fotografimet në dhomë nuk janë të lejuara. Pjesëmarrësve u kërkohet që mos t’i bëjnë publike pjesëmarrjet e tyre në IGWEL programe në njoftimet e tyre/komunikatat nga Davosi”, thuhet në udhëzuesin e organizatorëve të Forumit Ekonomik Botëror.

“Me përjashtim të folësit të parë dhe të fundit të cilët janë të përcaktuar më herët, nuk ka role tjera formale. Moderatori në vend të folësve do të ftojë të gjithë pjesëmarrësit për intervenime të shkurta, jo më shumë se 2 minuta”, thuhet në një prej kritereve të organizatorëve.

“Nuk ka fjalime apo adresime të parapërgatitura, në vend të tyre pjesëmarrësve u kërkohet të përgjigjen në diskutimet e bëra në dhomë”, është një kriter tjetër, duke vazhduar më tej me kriterin e radhës “Asnjë staf shtesë, duke përfshirë sigurimin dhe përkthyesit e pa regjistruar, nuk lejohet të qëndrojë në dhomë”. /Lajmi.net/