Këto janë qytetet me ajrin më të ndotur sonte në Kosovë

23:42 | 18 Janar 2020

Cilësia e ajrit vazhdon të jetë jo e shëndetshme edhe në këto orë të mbrëmjes në shumë qytete të Kosovës.

Qytetet më të ndotura sonte janë Mitrovica, Gjilani, Peja e Prishtina, raporton KosovaPress.

Sipas matjeve të prezantuara nga Ambasada amerikane, gjendja e ajrit është Mitrovica me shkallë të ndotjes 152, Gjilani 152, Peja 150 dhe Prishtina 143.

Monitorimi i ajrit bëhet përmes matësve të vendosur në pika të ndryshme në Kosovë.

Monitoruesi i cilësisë së ajrit mat grimcat në çdo orë, duke përfshirë pluhurin, baltën, blozën, tymin dhe pikat e lëngshme.

Grimca të tilla mund të jetë rezultat i lëshimit të gazrave nga automjetet dhe termocentralet, nga djegia e qymyrit apo e drurit, apo ndodhi të drejtpërdrejta si zjarret në maje dhe mund të mbetet pezull në ajër për periudha të gjata kohore.

Grimcat e kësaj madhësie, rreth 1/30 të diametrit të mesatares së fijes së flokut të njeriut, përbëjnë rrezikun më të madh për shëndetin. Studimet shkencore kanë lidhur ndotjen afatgjatë prej grimcave, veçanërisht nga grimcat e imta, me probleme të mëdha të shëndetit, si sëmundje të zemrës dhe të mushkërive.

Ndotja e ajrit shkakton 9 milionë vdekje në botë çdo vit, e cila është e barabartë me një të katërtën e vdekjeve totale.

Globalisht, vdekshmëria për shkak të ndotjes së ajrit arrin deri në 120 vdekje në 100,000 banorë, ndërsa në nivel evropian ky numër arrin deri në 133 vdekje në 100,000 banorë.

Ndotja e ajrit në Kosovë vlerësohet të jetë shkaktarja e 835 vdekjeve të parakohshme në vit.

Efektet tjera të ndotjes së ajrit në Kosovë përfshijnë sëmundjet akute të frymëmarrjes, përkeqësimin e gjendjes së pacientëve që vuajnë nga zemra dhe astma, kancerin e shkaktuar direkt nga ndotësit, nxitjen e acarimeve të syrit apo hundës, si dhe stresin dhe humbjen e mirëqenies së përgjithshme.