Këto janë deklaratat e dëshmitarit dhe ekspertit në rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Në rigjykimin për rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, në seancën e së mërkurës janë dëgjuar eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj dhe dëshmitari Shani Koca.

Lajme

14/04/2021 14:09

Fillimisht eksperti Blakaj, i cili ka bërë obduksionin e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri, deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna në fazat e mëhershme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur se cila ishte pozita e viktimës në momentin e marrjes se plagëve, eksperti Blakaj tha se nëse përreth vrimës hyrëse nuk gjinden faktorët plotësues të qitjes, atëherë konstatohet se qitja është bërë nga largësia 1 metër. Sipas Blakajt, në rastin konkret nuk ishin gjendur këto fakte plotësuese, prandaj tha se qitja ishte bërë në distancë mbi 1 metër.

Tutje, eksperti tha se pozicioni i viktimës dhe dy predhat kishin qenë nga lart poshtë dhe nga ana e djathtë në të majtë, ku njëra kishte qenë nga ana e majtë në të djathte dhe nga lart poshtë, kurse tjetra kishte qene pothuajse horizontale nga ana djathte në të majtë.

“Ne bazë të kësaj, pozita e të ndjerit a ishte ulur, gjysmë ulur apo në këmbë?”, ka pyetur prokurori Naim Beka.

“Pozitën e saktë nuk mund ta di, por në bazë të dëmtimeve të cilat janë konstatuar në trupin e viktimës rezulton se viktima duhet të këtë qenë në pozicion më të ulët se i pandehuri, ose i pandehuri ka qenë një pozitë me të lartë sesa viktima, saktësisht nuk mund ta dimë a ka qenë ulur, gjysmë ulur ose në këmbë”, ka deklaruar eksperti Blakaj.

Ndërsa, i pyetur nga kryetrari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq, nëse trupi është gjysmë i ngrysur dhe një goditje e tillë e ka goditur viktimën, a është e mundur se i ndjeri është munduar te ngritët, eksperti tha se nuk mund ta di këtë.

Në seancën e së mërkurës, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Shani Koca, i cili ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës se dhënë në polici dhe në prokurori.

“Ju e keni parë momentin kur Ganiu i ka shprazur predhat në drejtim të Ruzhdiut, nga cila distance ishte kjo?”, ka pyetur prokurori Beka, për cka Koca u përgjigj: “Sa nuk e di, por afër ka qenë”.

Pas dëgjimit të tyre, meqenëse në seancë kanë munguar dëshmitarët Sinan Hajrizi, Nehbi Koca dhe Blerim Musliu, trupi gjykues mori vendim që të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në polici dhe në prokurori, pasi me një gjë të tillë u pajtuan edhe prokurori Beka dhe avokati Dodaj.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 16 prill 2021, në ora 10:00, gjatë së cilës pritet të dëgjohen dëshmitarët Ermal Jusufi dhe Esat Bajrami.

Ndryshe, kjo është seanca e dytë e mbajtur që nga kthimi i këtij rasti në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka dhe heq dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci tha se nuk ndihet fajtor.

“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit.

Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017 dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.