Këtë kishte nënshkruar prokurorja Badivuku në këmbim të 22 mijë euro ryshfet
Në ditën e fundit të punës, para se të arrestohej, prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Mitrovicës, Vaide Badivuku, ishte angazhuar që t’i kryente punët për të cilat kishte marrë 5 mijë euro ryshfet.

Lajme
Të premten e javës së kaluar, Badivuku e kishte përpiluar “kërkesën për kthimin sendeve të konfiskuara përkohësisht” në rastin penal me numër PP-1 nr.298/2014 ku të dyshuar për detyrim dhe fajde janë katër pjesëtarët e familjes Hasani: babi Esani dhe të bijtë Dritoni, Fatoni dhe Artoni.
Këta të fundit ishin arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar. Disa nga ta ishin liruar më vonë ndërsa për lirimin nga paraburgimi të Esanit dhe Dritonit familja Hasani në emër të zyrtarëve që do t’ua ndryshonin masën e sigurisë, kishin paguar 10 mijë euro.
Tashmë kur të gjithë pjesëtarët e familjes Hasani gjendeshin të lirë, këta kishin kërkuar që t’iu kthehen nëntë veturat e sekuestruara në kohën e arrestimit, vetura që fillimisht ishte dyshuar që janë përdorur për kryerjen e veprës penale të fajdesë.
Prokurorja fillimisht ua kishte refuzuar këtë kërkesë ndërsa përmes sekserit Isak Smakolli, ajo ua kishte kërkuar familjes Hasani 22 mijë euro në mënryë që t’ua kthente veturat që kanë qenë në emër të tyre dhe në emër të disa personave të tjerë.
Në fillim të gushtit familja Hasani kishte bashkëpunuar me Policinë dhe këta të fundit duke e ditur shumën që po e kërkonte Badivuku, ia kishin dhënë atë shumë familjes Hasani të cilët përmes Smakollit po tentonin që paratë t’ia dërgojnë prokurores.
Smakolli përmes dy sekserëve të tjerë, 5 mijë nga 22 mijë eurot e marra, ia kishte dhënë prokurores, ndërsa 17 mijë euro ende nuk dihet se në duar të kujt kanë përfunduar.
Pesë mijë eurot, bankënotat e Policisë së Kosovës, janë gjetur të shtutën në mbrëmje në pikëkalimin kufitar në Merdare në një frigorifer të voglë, i cili ishte pronë e prokurues Badivuku.
Kjo e fundit kishte bërë kërkesën që familjes Hasani tia kthejë nëntë veturat, ndërsa kërkesën ia kishte lënë një bashkëpunëtore që ta dorëzonte të hënën, në ditën kur u zu ajo
Sipas kërkesës së shkruar e nënshkruar nga prokurorja Badivuku, kërkesë në të cilën ka pasur qasje gazeta “Zëri’, duke konsideruar se veturat “BMË X6”, “Audi A6”, Mercedes ML”, “Renault Megane”, dhe “Audi A5”, nuk janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, të njëjtat duhet t’iu kthehen palëve.
Sipas prokurores, këto vetura më 1 maj të vitit 2014 i kishte blerë Esan Hasni dhe atë nga pronari i firmës “Andi”, Naim Cakaj. /Zëri