Këta janë dy rusët që u shpallën “non-grata” në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka marrë sot një vendim, në të cilin ka shpallur “persona non grata” dy rusë.

Lajme

22/10/2021 17:57

Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga llupa e institucioneve të Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.

Në dokumentin që ka siguruar ATV-ja, kuptojmë se ministrja Gërvalla ka njoftuar edhe presidenten, kryeministrin, si dhe policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës.

Ndërkohë, kuptojmë që Alexey Kryvosheev, i cili është edhe diplomat rus, nuk e ka për herë të parë që është shpallur “person non grata”.

Ai edhe nga autoritetet shqiptare është shpallur i papranueshëm, pasi që në janar të këtij viti, sipas qeverisë shqiptare, vazhdimisht ka thyer masat anti-covid në Shqipëri.

Për këtë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, me ç’rast ka thënë se “Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë, për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë, edhe shefi i kabinetit të ministres Gërvalla, Sharr Jakupi, ka shkruar se për të njëjtit janë njoftuar organet përkatëse të rendit dhe ligjit në Kosovë.