Kështu votoi Kosova

PDK e para me vota. LDK e dyta, me 11 mijë vota më pak. Partia e tretë më e votuar AAK, pas saj vjen Vetëvendosje dhe e pesta mbetet AKR.

Lajme

02/12/2013 17:11

Partia Demokratike e Kosovës, e cila humbi qytetet e mëdha si Gjilani, Mitrovica e Ferizaj, megjithatë vazhdon të mbetet partia më e votuar në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PDK ka marrë gjithsej 202.419 vota, ose 258 mandate, duke prirë me 11 mijë vota më shumë sesa partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në këto zgjedhje, LDK, e cila u godit rëndë me humbjen e Prishtinës, ka marrë 191.362 vota, ose 224 mandate.

Pas saj vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 104.792, ose 131 mandate.

Partia e katërt në rang kombëtar me vota del Vetëvendosje, për të cilën kanë votuar 60.966 qytetarë, me çka ka siguruar 69 mandate.

Partia e pestë në vend del të jetë Aleanca për Kosovën e Re, e cila ka fituar 36.893 vota, ose 41 mandate.

Këto janë rezultatet e KQZ’së për Asambletë Komunale, të zgjedhjeve 2013.