Këshilltari nga Shqipëria i Kurtit i referohet Abdixhikut si “skizofren dhe i gjorë”

Këshilltari nga Shqipëria i kryeministrit Kurti, aktivisti i VV-së, Elvis Hoxha, është shfrenuar në fjalor ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këtë të fundit, ai e ka quajtur “skizofren të vogël”. Me anë të një postimi në Facebook, Hoxha ka thënë se Abdixhiku ndodhet në një fazë të tretë të LDK-së, dhe nuk po di…

Lajme

04/02/2023 13:25

Këshilltari nga Shqipëria i kryeministrit Kurti, aktivisti i VV-së, Elvis Hoxha, është shfrenuar në fjalor ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këtë të fundit, ai e ka quajtur “skizofren të vogël”.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoxha ka thënë se Abdixhiku ndodhet në një fazë të tretë të LDK-së, dhe nuk po di si të veprojë, shkruan lajmi.net.

Faza e parë, sipas tij është periudha e ish-presidentit Rugova, e dyta “shfytyrimi i LDK-së”, teksa e treta sipas tij është periudha e udhëheqjes së Abdixhikut, i cili siç thotë Hoxha s’po di si të veprojë.

“I gjori Lumir nuk po di a t’ketë a mos ketë fytyrë”, shkroi ai.

Postimi i plotë:

Agim Morina e ka sqaruar shumë mirë këtë teorinë e grupeve të Lumirit. Unë nuk po ia dilja ta kuptoja sepse më ngatërrohej teoria e grupeve në matematikë më teorinë e sistemeve joreferenciale në mekanikën relativiste.

Kuptova vetëm se skizofreni i vogël Lumir, nuk di se si të jetë kryetari në fazën e tretë të LDK-së. Sepse mendojeni mirë: pas fytyrës së LDK-së, Rugovës, vjen shfytyrimi i LDK-së, Mustafa. I gjori Lumir nuk po di a t’ketë a mos ketë fytyrë. Në pritje të përfundimit të reflektimit, për me kalu kohën, shpiku grupin e Tiranës.

Sidoqoftë, teza e Agim Morinës më duket shumë bindëse edhe pse shumë e sofistikuar për mendjen e vogël të Lumirit. Ja dhe teza e Morinës:

POLITIKA PLANETARE SHQIPTARE

“Grupi i Preshevës”, i vendosun përkohësisht në zyrat e “Grupit të Prishtinës”, po thotë që “Grupi i Tiranës” po don me na prishë me “Grupin e Uashingtonit” dhe po kërkon ndërhymjen e shërbimeve të sigurisë. Sidoqoftë “Grupi i Ulqinit” po hesht dhe veç po merr pozita në hierarkinë politike dhe akademike të Kosovës.

“Grupi i Tiranës”, – gjithnjë sipas “Grupit të Preshevës” – po vazhdon me shkru fjalime për deputetët me çmim të volitshëm, sidomos tash pas përcaktimit të koeficientit të pagave.

“Grupi i Shkupit” po ban seri, sepse ende nuk ka vendosë cilit grup me u bashku, megjithëse e urren ma shumë se dreqin e zi “Grupin e Tetovës”.

“Grupi i Prizrenit” po vazhdon me mësu shqip, për me mujtë me u marrë vesh me grupet e tjera.

“Grupi i Podujevës” po përpiqet me u shkri në “Grupin e Prishtinës” për mos me u dukë shumë katundar, por pinjollët e pinjollëve nuk po tregojnë kurrfarë mirëkuptimi dhe as Këshilli i Sigurimit të OKB-së s’po arrin me gjetë zgjidhje.

“Grupi i Shkodrës” nuk po ka kohë me u marrë me grupet e tjera sepse janë duke u vra mes vete. “Grupi i Vlorës” po pret nga “Grupi i Beratit” konfirmimin që “Grupi i Gjirokastrës” asht pajtu me u taku me “Grupin e Vlorës”.

“Grupi i Lazaratit” nuk ka asnjë problem me asnjë grup.

Mirë se erdhët në Grupet e Bashkueme Shqiptare. /Lajmi.net/