Këshilltari i Veselit – Vetëvendosjes: Dje Isa Mustafën e quanit tradhtar, sot e promovoni si shpëtimtar

Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli ka sulmuar Vetëvendosjen dhe liderin e saj, Albin Kurti, për sjelljen e tanishme dhe takimet me të parin e LDK-së, Isa Mustafën.

Lajme

14/08/2019 10:48

Latifi ka përmendur përmes një postimi në Facebook, sjelljen e Vetëvendosjes gjatë kohës që Mustafa ishte kryeministër, shkruan lajmi.net.

Ai ka përkujtuar kohën kur Mustafën, Vetëvendosje e quante tradhtar, ministër të Rrahman Morinës, e madje të njëjtit i bënin edhe atentat në familje.

Ky është postimi i plotë i tij:

Kur shkruan për anarkinë shqiptare, Noli përmend dyfytyrësinë, e cila brenda një dite, si me magji, tradhtarin e bën patriot dhe patriotin tradhtar. 100 vjet më pas, këto fjalë e përshkruajnë saktë aktualitetin tonë. Dje, kur u pengonte Isa Mustafa, e quanin tradhtar, ministër të Rrahman Morinës, madje edhe i bënin atentat e sulme në familje, ndërkaq sot, kur u duhet për llogari të pushtetit të tyre, kanë filluar ta promovojnë si profesor të nderuar e shpëtimtar të Kosovës.
Overdozë e imoralitetit politik! /Lajmi.net/