Këshilli vendos për Rektorin

Kryeministri Mustafa dhe ministri i Arsimit u kanë bërë thirrje instancave të UP-së të kenë parasysh interesin institucional gjatë takimit të Këshillit Drejtues dhe Senatit, i cili do të mbahet sot.

Lajme

19/10/2015 08:42

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” do të debatojë të hënën (sot) lidhur me kërkesën e senatorëve për shkarkimin e rektorit të këtij Universiteti, Ramadan Zejnullahu. Por, ky Këshill nuk do të hedhë në votim këtë kërkesë gjatë paradites. Këshilli Drejtues ka vendosur që të thërrasë së pari në takim Senatin dhe të dëgjojë argumentet pro dhe kundër kërkesës për shkarkim të rektorit.

Një ditë para këtij takimi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar që UP-ja të ruajë stabilitetin e vet institucional, t’i thellojë reformat, të shkëputet nga tendencat për ndikim politik dhe të bëhet një universitet që prodhon kuadro cilësore, të aftë për nevojat e tregut bashkëkohor.

Islamaj: Nuk votohet kërkesa për shkarkimin e Rektorit

Kryetarja e këtij Këshilli, Shefkije Islamaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se të hënën nuk do të votohet kërkesa për shkarkimin e rektorit Zejnullahu.

Ajo ka thënë se kjo nuk do të jetë një mbledhje, por një takim i thirrur nga vet Këshilli.

Islamaj thotë se takimi do të udhëhiqet nga Kryesia e KD-së. “Ne kemi thirrur takim në sallën e Senatit prej orës 10:00, pasi në Këshill është dorëzuar kërkesa për shkarkim të rektorit dhe kjo kërkesë nuk mund të hidhet në votim pa u dëgjuar argumentet.

Anëtarët e Këshillit duhet t’i dëgjojnë argumentet dhe pastaj mund të shqyrtohet të jetë apo jo rend dite”, ka thënë Islamaj për gazetën.