Këshilli i Sigurimit kundër talibanëve: S’e përkrahim kthimin e Emiratit Islamik

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e përkrah rivendosjen e Emiratit Islamik në Afganistan, tha organi i lartë botëror të martën përmes një deklarate.

Lajme

04/08/2021 11:13

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit pranuan se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës të paqes, të udhëhequr nga afganët”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se një marrëveshje politike dhe reale mund t’i japë fund konfliktit në Afganistan.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit e sollën ndër mend Rezolutën 2513, rikonfirmuan se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin dhe deklaruan se nuk e përkrahin rivendosjen e Emiratit Islamik”, thuhet më tej në deklaratë.

Këshilli i Sigurimit gjithashtu i dënoi sulmet kundër civilëve, personelit të Kombeve të Bashkuara dhe objekteve të OKB-së, duke theksuar se sulme të tilla mund të përbëjnë krime lufte, dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që t’i respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit humanitar ndërkombëtar në të gjitha rrethanat.

Ndryshe, talibanët kanë shënuar avancime në terren pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani. Këto zhvillime e kanë shqetësuar komunitetin ndërkombëtar, i cili ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.