Këshilli i familjarëve të zhdukur kundër nderimit të Natasha Kandiqit

Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës njofton se në mbledhjen e tij shqyrtoi edhe propozimin e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari për shpalljen “Qytetar nderi” të aktivistes serbe Natasha Kandiq.

Lajme

02/03/2015 16:14

Në një njoftim për media ky këshill këtë vendim e quan të shëmtuar, ndërkaq Kandiqin e quan “rod të Jabllanoviqëve”.

“Aktivistët e këtij asociacioni, që bashkon familjarët e të zhdukurve të Kosovës, shprehën pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre dhe të familjarëve për të cilët u tha se ata ende pa u qetësuar nga goditja-ofendimi i rëndë i bashkëkombësit të Kandiq, morën goditjen e dytë që ka lënduar edhe më shumë”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë shprehet shqetësimi i familjarëve se “nga kush doli një ide e tillë e pa kurrfarë mbështetje, me karakter antishqiptar dhe antinjerëzor, që të ngacmojë plagën e hapur të qytetarëve me të goditura nga forcat nacional-fashiste të Serbisë së Milosheviqëve, të cilët ende po vazhdojnë të kërcënojnë shqiptarët”.

“Ftojmë udhëheqjen e Komunës së Gjakovës dhe sidomos këshilltarët e asamblesë komunale që ta heqin nga rendi i ditës një herë e përgjithmonë një propozim të tillë, i cili është i papranueshëm, ofendues dhe i pavend. Përndryshe në aktivistët dhe familjarët e kategorisë së goditur rëndë nga pasojat e veprimeve kriminale dhe gjenocidale të shtetit më antishqiptar – Serbisë, do të reagojmë në formën tonë më të ashpër. Gjithashtu, konsiderojmë se vonë apo asnjëherë për të gjallë tonë, nuk do të duhej kush as të mendoj për gjëra të tilla – ‘nderim’ për asnjë qytetar të Serbisë për deri sa ajo nuk kërkon falje, nuk shpreh pendim dhe nuk e pranon realitetin e ri – Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.