Këshilli Drejtues i PDK-së zgjedh Kadri Veselin kandidat për Kryeministër

20:07 | 23 Gusht 2019

Kadri Veseli edhe zyrtarisht është kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo u bë e ditur përmes një konferencë për media pas takimit të Këshillit Drejtues të partisë, shkruan lajmi.net.

“Pika e parë e rendit të ditës  ka qenë zgjedhja e kandidatit për Kryeministër të Kosovës. Këshilli Drejtues në mënyrë unanime e zgjodhi Kadri Veselin kandidat për Kryeministër të Kosovës”, ka thënë Hajredin Kuqi nga kjo parti.

Siç është shprehur Kuqi, Veseli ka dhënë dëshminë e tij më të mirë gjatë punës për dy mandate si kryetar i Kuvendit.

Kuqi tha se Veseli do t’i luftojë dukuritë negative, korrupsionin e nepotizmin.

“Ai ka dhënë dëshminë e tij si kryetar i Kuvendit për dy mandate dhe si Kryetar i PDK-së. Veseli e ka kapacitetin dhe ekspertizën që t’u japë shpresë qytetarëve të Kosovës. Sot kemi zgjedhur një njeri i cili do t’i luftojë dukuritë negative si krimin i organizuar, korrupsioni dhe nepotizmi”, ka thënë tutje ai.

Partia Demokratike e Kosovës deri më tani nuk ka lidhur koalicion me ndonjërin prej subjekteve politike në vend.

Madje, nga partia e Veselit kanë thënë se do të hynë të vetëm në zgjedhje. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

PDK sfidon e vetme koalicionet parazgjedhore, bashkimin PSD-AAK e quan “pa nuancë”