Këshilla të ushqimit për personat me diabet, nga Vala Pupovci

Meqenëse muaji Nëntor është muaji i vetëdijesimit për diabetin, Vala Pupovci, dietologia të e Fivestar Fitness, jep disa këshilla ushqimore për diabetin.

Lifestyle

06/11/2017 18:46

Diabeti

Diabeti është sëmundje që karakterizohet me nivelin e lartë të glukozës (sheqerit) në gjak. Pas marrjes së ushqimeve të pasura me karbohidrate, glukoza kalon në gjak dhe nga aty hyn nëpër qeliza me ndihmën e hormonit të quajtur insulinë i cili prodhohet në pankreas.

Ekzistojnë dy lloje të diabetit: diabeti tip 1 dhe diabeti tip 2.

Si të jetohet me diabetin?

Të sëmurët e diagnostikuar me diabet duhet të kenë një rezhim ushqimor të shëndetshëm, të kujdesen për peshën trupore, të bëjnë aktivitet fizik,të bëjnë rregullisht matjet e nivelit të sheqerit në gjak dhe të përcaktojnë indeksin e masës trupore.

Dieta tek të sëmurët me diabet

Faktori kyç në menaxhimin e diabetit është edhe ushqimi. Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon që të gjithë të sëmurët nga diabeti duhet që terapinë me ushqim ta kenë pjesë të trajtimit të diabetit, duke theksuar se nuk ka një plan ushqimor të përgjithshëm i cili është i mirë për secilin individ. Një dietë kualitative merr parasysh preferencat personale (traditën, kulturën, fenë, qëllimet dhe anën ekonomike) dhe qëllimet metabolike. Çdo herë dietat për të sëmurët janë personale dhe çka është dietë e balansuar për një të sëmurë nuk është edhe për një tjetër, e kjo edhe më shumë vlen për të sëmurët me diabet. Aq më tepër, dieta e të sëmurëve me diabet dallon varësisht nga lloji i diabetit që kanë dhe nuk është e njejtë si tek personat me diabetin tip 1 ashtu edhe tek personat me diabet të tip 2. Më poshtë, gjeni disa këshilla se çfarë përfshinë një dietë e balancuar për personat me diabet.

Balancimi i energjisë

Një dietë e shëndetshme duhet të ketë të balansuar makronutrientët dhe mikronutrientët në mënyrë që të arrihet përmirësimi i niveleve të glicemisë, yndyrnave dhe shtypjes së gjakut.

Balancimi i makronutrientëve

Karbohidratet

Përkundër besimit se në rastin e diabetit karbohidratet apo sheqernat duhet të eliminohen nga dieta, studimet shkencore tregojnë se kjo nuk është një përzierje optimale e përqindjes së makronutrientëve për kaloritë që vijnë nga karbohidratet, proteinat dhe yndyrnat. Personat me diabet, njejtë, si popullata e përgjithshme, duhet të konsumojnë 25 – 30g fibra në ditë. Pra, për shëndet të mirë, marrja e karbohidrateve prej drithërave integrale, fasuleve, pemëve dhe perimeve dhe produkteve qumështore preferohet më shumë se prej burimeve si ëmbëlsirat, lëngjet e gazuara dhe ushqimet tjera me sheqer dhe yndyrë të shtuar.

Sheqeri natyral nga frutat (fruktoza) është vërtetuar se mund të rezultojë në kontroll më të mirë glicemik se kaloritë e njejta që vijnë nga ushqimet tjera të pasura me karbohidrate, përderisa marrja e fruktozës nuk kalon 12% të nervojave ditore. 

Numërimi i karbohidrateve

Numërimi i karbohidrateve është një metodë e cila preferohet për personat me diabet të tipit 1 dhe 2. Tek personat me diabet të tipit 2 duhet të vendoset një limit për karbohidratet të cilat mund të konsumojë brenda një shujte, në mënyrë që të balansohet niveli i sheqerit në gjak brenda ditës. Tek personat me diabet të tipit 1, sasia e karbohidrateve brenda shujtës përcaktohet duke u bazuar në sasinë e insulinës që i sëmuri përdor, dhe raportin në mes të insulinës dhe karbohidrateve,i cili përcaktohet nga mjeku përgjegjës.

Proteinat

Proteinat rekomandohen të merren nga mishrat, peshku, fasulet dhe vezët. Konsumimi i mishit të kuq duhet të reduktohet në një herë në javë, dhe gjithmonë të zgjidhet mishi me pak yndyrë, përderisa peshku rekomandohet të paktën dy herë në javë për shkak të acideve yndyrore omega 3 që ai përmban e që ndihmojnë në shëndetin e zemrës.

Yndyrnat

Përderisa sasia e yndynave në dietë është e rëndësishmë për mbajtjen e peshës trupore normale, në rastin e diabetit, kualiteti i yndyrës luan rol më të madh. Pra, yndyrat e pangopura, që vijnë nga burimet bimore si vaji i ullirit, arrat, farat dhe ato shtazore si peshku preferohen më shumë sesa ato të ngopura dhe trans, të cilat vijnë nga burimet shtazore si mishi me shumë yndyrë, produktet e qumështit me yndyrë të plotë dhe ushqimet e komercializuara si kroasanat, llokumat etj.

Mikronutrientët dhe suplementet bimore

Suplementet bimore si xhenxhefili, kanella, aloe vera apo mikronutrientët si vitamina E, C, Magnezi, vitamina D janë studiuar prej vitesh për efektet që kanë në nivelet e glukozës, por studimet nuk kanë gjetur informata që konkludojnë se mund të ndihmojnë në përmirësimin e diabetit.

Alkooli

Nëse personat me diabet konsumojnë alkoolin, rekomandohet të pijnë jo më së shumti 1 gotë në ditë për femra, dhe 2 gota në ditë për meshkuj. Megjithatë, alkooli mund të rezultojë në sheqer të ulët në gjak, pra preferohet që, në rastet se konsumohet me të të konsumohet edhe ndonjë ushqim si bademat, arrat etj.

Kripa

Popullata e përgjithshme rekomandohet të konsumojë jo më shumë se 2.3g natrium në ditë, dhe kjo aplikohet edhe te personat me diabet. Duhet të merret parasysh, se kripa nuk merret vetëm me anë të kripës së shtuar, por edhe përmes ushqimeve që kanë kripë në përbërje, si ushqimet e procesuara.