KESCO propozon dyfishim të çmimit të faturave të rrymës [DOKUMENT]

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rritje të tarifave të energjisë elektrike në gati 100%. Kjo u bë e ditur nga ZRRE-ja, e cila gjatë ditës së sotme e ka publikuar propozimin e KESCO-s. “Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU) me datë 12 gusht 2022…

Lajme

12/08/2022 22:42

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rritje të tarifave të energjisë elektrike në gati 100%.

Kjo u bë e ditur nga ZRRE-ja, e cila gjatë ditës së sotme e ka publikuar propozimin e KESCO-s.

“Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU) me datë 12 gusht 2022 ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) propozimin për tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët që furnizohen nën kushte të shërbimit universal (konsumatorët e rregulluar). Ky propozim vjen si rrjedhojë e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale nga FSHU. ZRRE është duke shqyrtuar arsyeshmërinë e propozimit të FSHU-së dhe në ditët në vijim do të njoftojë publikun për veprimet që do të ndërmerren nga rregullatori”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

KESCO, sipas asaj që ka publikuar ZRRE-ja, ka thënë se kërkesa arsyetohet me mosdisbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të publikuara në tabelën e propozuar nga KESCO, del se rritja e çmimit të rrymës mund të shkojë deri në pothuajse 100 për qind.

KESCO kësaj radhe ka propozuar rritje të çmimit për të dy blloqet tarifore, për ata që shpenzojnë më pak se 800kWh në muaj, e edhe për ata që e tejkalojnë blloktarifën.

Aktualisht, qytetarët për tarifën e ulët paguajnë 2.89 centë për kWh, ndërsa për të lartën, konsumatorët familjarë paguajnë 6.75 centë për kWh. E KESCO ka propozuar që me tarifat e reja, çmimet të ngrihen në 5.43 centë për kWh për tarifë të ulët dhe 12.68 centë për kWh për tarifë të lartë.

Ndërkaq çdo kWh që shpenzohet aktualisht mbi 800kWh të shpenzuar në muaj, kushton aktualisht 5.9 centë në tarifë të ulët dhe 12.52 në të lartën. Propozimi thotë që këto tarifa të shkojnë në 11.09 centë për të parën dhe 23.53 centë për të dytën.

ZRRE-ja ka sqaruar se tarifë e ulët është ajo që shpenzohet gjatë natës, ndërsa e larta ajo që shpenzohet gjatë orëve të ditës. /Zëri/