Kerry: Asnjë vendim për Krimenë, pa Ukrainën

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka deklaruar se asnjë vendim nuk do të merret për Krimenë, pa përfshirjen e Ukrainës.

Lajme

31/03/2014 13:43

“Shtetet e Bashkuara po konsultohen me Ukrainën në secilin hap të këtij procesi dhe ne nuk do ta pranojmë rrugën përpara ku qeveria legjitime e Ukrainës nuk është në tryezë. Ky parim është i qartë: jo vendime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha Kerry, në Paris, pas takimit me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, raporton RFE.

Kerry, po ashtu, ka theksuar se i ka paraqitur “shqetësimet e fuqishme” të Uashingtonit për grumbullimin e forcave të Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës, duke kërkuar që ato forca të tërhiqen.

Ministri rus, Sergei Lavrov, nga ana e tij, në një konferencë të ndarë për gazetarë në Paris, tha se Ukraina nuk mund të funksionoj si shtet i bashkuar dhe do të duhej të ishte një federatë e butë e rajoneve, që e zgjedhin modelin e vet ekonomik, fetar dhe gjuhësor.

“Ne jemi pajtuar të punojmë me qeverinë e Ukrainës dhe me popullin ukrainas në mënyrë të gjerë për ta arritur paqen në hapësirat prioritare, siç janë të drejtat e minoriteteve, të drejtat gjuhësore, arritja e çarmatosjes së forcave jo të rregullta dhe  provokatorëve, arritjen e reformës gjithëpërfshirëse kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve nën observimin ndërkombëtar”, tha Lavrov.