Kërkuan një ministri më shumë, Albin Kurti i përgjigjet në Kushtetuese Listës Serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dërguar letër në Gjykatën Kushtetuese, ku është përgjigjur për ankesën e Listës Serbe ndaj zgjedhjes së qeverisë, e cila ka të bëj me faktin se këtij subjekti i është dhënë vetëm një ministri, dhe në këtë formë sipas tyre ka pasur shkelje të Kushtetutës.

Lajme

14/04/2021 16:55

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, shkruan lajmi.net.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër përgjigje në kërkesën e parashtruar nga 11 deputetë të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nr.08/V-005 të datës 22.03.2021”, thuhet në kumtesë.

Qeveria e Kosovës, në komentet e saj, konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e qeverisë, dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerr sipas procedurës së paraparë më kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën.

Po ashtu, Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar, dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në letrën e saj, Qeveria e Kosovës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerr aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshmetë konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës  për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.

Në fund, Qeveria e Kosovës konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet. /Lajmi.net/