Kërkoni falje, pastaj pajtohemi
ZëvendësMinistri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë se Serbia duhet t`i kërkojë falje Kosovës, përndryshe nuk do të ketë pajtim mes dy shteteve.

Lajme
ZëvendësMinistri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se përderisa Serbia nuk kërkon falje për krimet që ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit, nuk mund të ketë paqe në mes të këtyre shteteve.
Agjencia serbe e lajmeve Fonet citon Selimin të ketë thënë se Serbia ka kërkuar falje për krimet e kryera në Vukovar e Srebrenicë, por një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe me Prekazin dhe Reçakun.
Selimi ka nënvizuar se nuk ka dyshime që e gjithë aparatura shtetërore e Serbisë është e përfshirë në represionin etnik dhe masakrimet e ndodhura që dëshmohen edhe me varrezat masive me trupat e shqiptarëve që gjenden në Batajnicë, duke thënë se “viktimat dhe shumë familjarë të tyre presin që t`u kërkohet falje”.
Sipas tij, pajtim në mes të këtyre vendeve nuk mund të ketë përderisa Serbia nuk kërkon falej për vrasjen e mbi 14 mijë njerëzve dhunimin e më shumë se 20 mijë grave dhe dëbimin e një milion e gjysmë shqiptarëve gjatë vitit 1999 në Kosovë.