Kërkohet reagimi i ndërkombëtarëve ndaj ndërtimeve të Serbisë në veri të Kosovës

Nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, ka thënë që ndërkombëtarët duhet të reagojnë për investimet në veri.

Lajme

13/06/2021 22:07

Nën këto rrënoja ishin themelet e shkollës së mesme Franko Radovçiç në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky objekt gjendet në lagjen e boshnjakëve, e afër saj është edhe shkolla teknike dhe konviktet e studentëve. Mirëpo tash e disa ditë këtu kanë nisë punimet për një Universitet Publik në këtë komunë. Qytetarët serb prapa kamerës thanë që kjo është një gjë shumë pozitive për të gjithë studentët që do ndjekin mësimet universitare këtu.

Mirëpo jo kaq entuziast për këtë ndërtim u shprehën nga Komuna e Mitrovicës Jugore. Nënkryetari i kësaj komune Faruk Mujka tha që këto ndërtime po ndodhin për faj të gabimeve që janë bërë në tryezën e bisedimeve nga ana e palës kosovare në Bruksel. Mujka kërkon që qeveria dhe Bashkësia Ndërkombëtare të unifikohen me qellim të parandalimit të këtyre investimeve nga qeveria serbe.

Ndërkohë ministrja e arsimit ka thënë që Universitet nuk është legjitim për shkak se nuk është në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Arbërie Nagavci, ka thënë që ministria do e adresojë këtë çështje përmes dialogut me komunitetin serb në veri të Mitrovicës. /t7/