Kërkohet raportim në zbulimin e korrupsionit në katër komunat joshumicë

Këto ditë, në kuadër të fazës së dytë të projektit “Ushtrimi i presionit publik dhe ekspozimi i korrupsionit të mundshëm në katër komuna joshumicë, përmes monitorimit aktiv dhe krahasimit të vendimmarrjes së tyre dhe përfshirjes së qytetarëve”, i cili mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Ambasada Norvegjeze, Demokraci Plus (D+) ka mbajtur disa takime me shoqërinë civile në komunat: Graçanicë, Novobërdë dhe Mamushë.

Lajme

09/11/2020 13:28

Qëllimi i këtyre takimeve, sipas njoftimit të D+, ka qenë avokimi dhe informimi i organizatave joqeveritare dhe mediave lokale në lidhje me monitorimin e prokurimit publik. Gjatë takimeve u theksua nevoja që të ketë një monitorim më të gjerë të aktiviteteve të prokurimit në këto komuna dhe nevojën që organizatat joqeveritare lokale të aftësohen dhe t’i ngrisin kapacitetet e tyre në fushën e prokurimit publik.

Gjithashtu në këto takime u diskutuan të gjeturat e D+ gjatë monitorimit të tenderëve në këto komuna dhe raportet tjera të D+ në fushën e prokurimit publik. Përmes këtyre takimeve, organizatat joqeveritare dhe mediat lokale janë inkurajuar që të bëjnë monitorime të tenderëve nëpër komunat e tyre, pasi kjo gjë ka ndikim direkt në jetën e tyre të përditshme.

Në takime është diskutuar po ashtu edhe për perceptimin e tyre lidhur me prezencën e korrupsionit në prokurim publik dhe se çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri civile në këtë drejtim.

Takimet janë mbajtur me një numër të kufizuar të organizatave joqeveritare dhe mediave lokale, duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe gjithmonë duke respektuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Takimet janë përmbyllur duke i thirrur të njëjtat për bashkëpunim në të ardhmen, me qëllim të monitorimit të aktiviteteve të prokurimit dhe ekspozimit të shkeljeve në prokurim publik dhe zbulimit të korrupsionit potencial. /Lajmi.net/