Kërkohet pacienti ‘0’, mister mbi përhapjen e koronavirusit

Në Itali vazhdon të mbetet mister mënyra se si koronavirusi u përhap kaq shpejt e brenda 24 orëve pothuajse në të gjithë territorin verior të vendit.

Bota

23/02/2020 20:52

Mbetet ende i paidentifikuar pacienti i ashtuquajtur “0” nga i cili janë infektuar e janë krijuar foletë e tjera të përhapjes së virusit.

Jo gjithmonë sistemi imunitar reagon ndaj koronavirusit e manifeston shenjat e prekjes nga ai.

Ky është konkulzioni i nxjerrë nga Instituti Suprem i Shëndetit Publik në Itali e të gjithë janë vënë në kërkim të pacientit “0” i cili ka përhapur sëmundjen.

Mund të jetë një nga personat pozitiv me virus por dhe mund të mos jetë identifikuar ende.

Rasti i parë i koronavirusit në veri të Italisë u regjistrua më pak se 48 orë më parë në komunën Codogno ku 38-vjeçari i infektuar informoi se pak ditë më parë kishte qenë për darkë në një restorant me një mikun e tij që sapo kishte mbërritur nga Kina.

Por miku i tij pasi iu nënshtrua të gjitha analizave mjekësore rezulton negativ nga koronavirus e është person i shëndetshëm.

Për momentin duket e pamundur identifikimi i pacientit “0” e foleja e origjinës së përhapjes së këtij virusi.

Këtë gjë e vërtetoi dhe Angelo Borreli, kreu i Mbrojtjes Civile italiane i cili në daljen për mediet tha se janë ende në kërkim të tij.

E paparashikueshme duket dhe zona e përhapjes së koronavirusit, transmeton KP. Lajmet e orëve të fundit informojnë se janë 4 persona pozitivë me koronavirus në provincën e Bergamos.

E në këtë territor është mbyllur qendra e urgjencës në spitalin e Alzano Lombardo ku janë kuruar 2 prej tyre.