Kërkohet ndryshimi i Kushtetutës për tu siguruar 10 ulëse në Kuvend për diasporën

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka kërkuar që të ndryshohen Kushtetuta e vendit në mënyrë që diasporës tu mundësohet përfaqësimi në Parlamentin e Kosovës me 10 përfaqësues.

Lajme

04/08/2018 12:03

Këtë e bëri të ditur kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi në konferencë për medie me temën “Diaspora aset shumë i rëndësishëm i shtetit të Kosovës – Propozimi konkret i yni që diasporës t’i rezervohen 10 ulëse në Parlamentin e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

Rexhepi, tha se diaspora ka dhënë kontribut të çmueshëm për Kosovën në forma të ndryshme, andaj sipas tij për t’ua kthyer respektin dhe kujdesin e tyre.

“Për tua kthyer nderin dhe respektin dhe të fillohen ndryshimet dhe mërgimtarë tua ndajmë së paku 10 vende. Pse të mos veproje kështu edhe Shqipëria sepse kemi një numër të madh të bashkatdhetarëve”.

“Për shumë vite mërgimtarët kanë derdhur mund, mjete për lobim. Falë mjeteve të tyre mbushet arka e shtetit. Po të mos ishin ata vështirë do t’ia dilnim me buxheti”.

Rexhepi ka kërkuar nga institucionet që të fillojnë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë çështje. Një gjë e tillë, sipas tij duhet të bëhet edhe në Shqipëri.

“Kemi propozuar që institucionet duhet me i filluar ndryshimet ligjore dhe kushtetuese. Por duke i parë veprimet ne Ballkan e Evropë do të ketë ndryshime të tjera, pse të mos bëhen edhe ndryshime tjera”.

Ai tha se tri vende në Parlament duhet të jenë te rezervuara për bashkatdhetarët në ShBA, sepse vlerësoi se atje vendoset fati i botës.

Rexhepi u shpreh se në këtë mënyre i stimulojmë ata që të punojnë më shumë për Kosovën.

“Ne duhet tua japim mundësinë që vet t’i parashtrojnë vërejtët kërkesat sepse ata e dinë nevojat e tyre. Qendrore është që njerëzve tanë tu sigurohen në Parlamentin e Kosovës dhe Shqipërinë”.

Rexhepi tregoi edhe mënyrën e zgjedhjes së deputetëve bashkatdhetarë, raporton EO.

“Mënyra më e thjeshte është të caktohet numri i votave. Janë edhe disa shqetësime qe ata janë jashtë dhe nuk i njohin probleme tona. Ne një mënyrë kanë logjik por ata janë njerëz tanë dhe duhet ti afrojmë. Ai që i fiton votat le të shkon përpara”.

Rexhepi shtoi se nuk e kanë qëllim përçarjen, por gjetjen mënyrës më të mirë që diaspora t’i ketë përfaqësuesit e vet.

Sipas kësaj shoqate bashkatdhetarë përbëjnë një të tretën trungut demografik të Kosovës me rreth 700 mijë qytetarë, ndërsa vetëm në regjistrimin e mërgatës nga Ministria e Diasporës, kanë dalë 400 mijë.