Kërkohet heqja e taksës ndaj SHBA-së: Dëmton ekonominë dhe marrëdhëniet diplomatike
Njohës të ekonomisë në Kosovë po kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme të taksës prej 10 për qind ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm që po dëmton rëndë raportet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Duke e quajtur këtë taksë “të pajustifikueshme dhe të…

Lajme
Njohës të ekonomisë në Kosovë po kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme të taksës prej 10 për qind ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm që po dëmton rëndë raportet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke e quajtur këtë taksë “të pajustifikueshme dhe të dëmshme”, njohësit e zhvillimeve ekonomike theksojnë se urgjenca për heqjen e saj nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike dhe gjeostrategjike.
Ai kritikon ashpër institucionet vendore për, siç tha, mungesë të vizionit dhe dështim për të avancuar proceset ekonomike e diplomatike.
Ai vlerësoi se heshtja e institucioneve të Kosovës dhe mosangazhimi serioz për heqjen e kësaj takse, po e izolon gjithnjë e më shumë vendin në aspektin ekonomik, politik dhe gjeostrategjik.
“E para është një turp i kohës për Kosovën, që një shtet shpëtimtar, një aleat strategjik, qfarë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jenë të penalizuara me një taksë 10 për qind për importet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dyta e tëra kjo e dëshmon papjekurinë institucionale në Kosovë. E treta, e tëra kjo e dëshmon që në Kosovë është varrosë definitivisht diplomacia, qoftë politike, e në veçanti ajo ekonomike. Dhe nuk mund të pritet diplomati efektive qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin ekonomik, në qoftë se kemi i një ministri të punëve të jashtme e mbuluar, apo e ngarkuar me politikanë të padijshëm, të cilët vërtet shumë më tepër dëmtojnë sesa që avancojnë këto procese. Ka qenë një tentativë vetëm më tepër gojore nga Presidenca që kjo taksë duhet të hiqet. Mirëpo në realitet nuk ka ndodhë asgjë. Ajo që është më shqetësuese për ardhmërinë e Kosovës është heshtja politike, ekonomike edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe vendeve evropiane, po edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor”, thotë Gërxhaliu.
Në këtë kontekst, Gërxhaliu shprehet shqetësues për rënien drastike të eksportit nga Kosova në SHBA, i cili thekson se kjo është një pasojë direkte e mungesës së bashkëpunimit të ngushtë ekonomik me këtë shtet.
“Kosova dhe sakrifica për Republikën e Kosovës e meriton një qasje më ndryshe. Duhet të jemi falënderues, duhet të jemi mirënjohës, në veçanti ndaj Shtetet Bashkuara të Amerikës që kanë qenë me ne në kohë të më vështira dhe sot e gëzojmë lirinë falë një intervenimi edhe ushtarak, edhe politik, edhe diplomatik. Dhe se sa është impakti në këtë drejtim e dëshmon fakti që para sa viteve Kosova ka arrit të ketë më tepër se 200 milionë euro eksporte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot apo në vitin 2024 është një sipër shqetësuese që janë afro 37 deri në 38 milion, vlerë e prodhimit “Made in Kosova” dhe tëra kjo na obligon që vërtet të jemi më aktivë, të jemi falenderues, dhe kjo taksë e turpit t’i takoj të kaluarës sa më shpejt është e mundur, mirëpo nuk mund t’i takoj të kaluarës në qoftë se bëhet në Kosovë garë për pushtet, nuk ke kuvend, institucione dhe e tërë kjo po e izolon Kosovën sesa që po e ndihmon qoftë për prosperitet ekonomik, qoftë politik, por edhe gjeostrategjik”, nënvizon Gërxhaliu.
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj vlerëson se Kosova duhet sa më shpejtë të heq këtë taksë ndaj ShBA-ve.
“Kosova duhet një hap përpara të largojë masën ndaj ShBA-së për faktin se si me qenë, si mos me qenë nuk ndikon fare në raportin ekonomik me ShBA-në për faktin edhe sikur mos të kemo fare taksa me ShBA-në i gjithë plasmani, i gjithë produkti të plasohet në ShBA nuk mundet as për disa minuta të mbajë gjallë konsumin dhe ekonominë e ShBA-së. Duke e ditur rrugëtimin tonë si Kosovë, vlerësoj se Qeveria e Kosovës një hap përpara duhet të largojë taksën dhe masat ndaj ShBA-së”, thotë Kadrijaj.
Për këtë çështje KosovaPress ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Presidencës, Qeverisë së Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Eksportet e Kosovës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pësuar rënie gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në maj 2025, Kosova eksportoi drejt SHBA-së rreth 10.04 milionë euro, ndërsa në pesëmujorin e parë të vitit 2024 kjo shifër ishte rreth 23.79 milionë euro.
Pra, një tkurrje prej mbi 57.8 për qind, në më shumë se 13.7 milionë euro më pak mallra të eksportuara drejt SHBA-së.
Importet e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar një ulje në pesëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë së jashtme, nga janari deri në maj 2025, Kosova importoi nga SHBA mallra me vlerë rreth 322 milionë euro, ndërsa në pesëmujorin e parë të vitit 2024 kjo vlerë ishte rreth 356 milionë euro.
Ky ndryshim përfaqëson një tkurrje prej 9.55 për qind, pra në rreth 34 milionë euro më pak mallra të importuara nga SHBA në tregun kosovar./kp