Kërkohet hedhja e aktakuzës në rastin për terrorizëm

Në gjykimin ku Gazmend Haliti akuzohet nga prokuroria për pjesëmarrje në veprimtarinë e grupit terrorist të njohur si ISIS, avokati Asdren Hoxha ka kundërshtuar provat dhe ka kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Lajme

31/05/2017 22:55

“Aktakuza nuk përmban prova relevante dhe ajo (aktakuza) është produkt i një veprimi të kundërligjshëm procedural”, tha avokati Hoxha.

E për këto prova prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova, tha se janë të nxjerra në bazë të ligjit. Sa i përket vërejtjeve të mbrojtjes, ajo i quajti si plotësisht të pabazuara.

“Provat janë plotësisht në pajtim me kodin e procedurës penale të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Gjykatësi Arben Hoti bëri të ditur se palët do të njoftohen përmes vendimit të shkruar lidhur me kërkesat dhe propozimet e palës mbrojtëse.

Ndërsa në intervistën e dhënë për KALLXO.com, avokati Hoxha, tha se kanë ofruar argumente të mjaftueshme që gjykata të marrë vendim për hedhjen e aktakuzës.

“Kam ushtruar kërkesën për hedhjen e aktakuzës në rastin e Gazmend Halitit, që pretendohet si vepër penale e organizimeve e pjesëmarrjeve në grupet terroriste me pretendimin se kinse në vitin 2013 ka qenë në Siri. Ne në mënyrë të shkruar kemi ofruar kundërargumentet tona të cilat e humbin kuptimin real të kësaj aktakuze dhe mendoj që kemi krijuar një bindje të mjaftueshme që gjykata ta hudhë këtë aktakuzë të pabazuar për shumë e shumë arsye të cilat i kemi cekë me shkrim në këto parashtresa brenda afateve ligjore”, tha avokati Hoxha.

Në këtë gjykim, Prokuroria akuzon Gazmend Halitin se me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, ashtu që në vitin 2013 ka shkuar në Turqi, e nga aty ka shkuar në Siri, ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që të frikësojë popullsinë dhe të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Më 20 shkurt 2014, gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtit kanë hyrë me veturë në Kosovës përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i akuzuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim më 17 maj të këtij viti.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.