Kërkohet dorëheqja e qeverisë Gruevski, demantohet Menduh Thaçi
Kreu i partisë kryesore opozitare në Maqedoni, pas shpalosjes së të ashtuquajturës “bomba e tetë”, ka bërë edhe kërkesa politike.

Lajme
Zaevi kërkoi sonte dorëheqjen e qeverisë Gruevski, që prokurori publik të japë dorëheqje të menjëhershme, si dhe të formohet një qeveri teknike, e cila do ta ketë për detyrë të organizojë zgjedhje të reja, të lira dhe demokratike. Zaev kërkoi gjithashtu edhe largimin e plotë të udhëheqjes së Radio Televizionit të Maqedonisë.
Në tribunën sonte në Sallën Universale në Shkup, nga materialet e prezantuara u shpalos edhe një bisedë e zv/kryeministrit Musa Xhaferi me Sasho Mijallkovin, si dhe e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, gjithashtu me Mijallkovin. Nga kjo e fundit dëgjohet se si Menduh Thaçi i betohet Sasho Mijallkovit, duke thënë: Për ty deri në vdekje…
“Kam një kërkesë urgjente. A mund të votoni për ne në KSHZ për Strumicën”, i thotë Mijallkov Thaçit, kurse ky i fundit garanton se menjëherë do të rregullohet kjo punë.
Më pas LSDM publikoi incizimin e bisedës, për të cilën u tha se është mes Thaçit dhe anëtarit të KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi, ku Thaçi kërkon nga Ibrahimi që të votojë në favor të VMRO-DPMNE-së për prishjen e një vendvotimi në Strumicë.